Selektori i Gjermanisë, Hansi Flick, ka pranuar se ekipi i tij ka “shumë punë për të bërë” për të qenë gati për të synuar titullin e “Euro 2024”, pak më shumë se një vit para organizimit të turneut. Katër herë kampionia e botës dhe tri herë e Evropës, të martën u mposht 3:2 në shtëpi në ndeshjen miqësore kundër Belgjikës, ekip që u eliminua në fazën e grupeve të botërorit “Katari 2022”. Edhe Gjermania doli gjithashtu nga turneu i Katarit në pengesën e parë, për herën e dytë rresht në këtë ngjarje.
“Kemi shumë punë për të bërë. Ne e dimë këtë”, tha trajneri Flick pas humbjes së parë të Gjermanisë nga Belgjika që nga viti 1954.
Një fitore dominuese 2:0 ndaj Perusë të shtunën e shkuar në ndeshjen e parë të Gjermanisë që nga debakli i saj në Kupën e Botës kishte rritur shpresat për një ringjallje. Por kundër Belgjikës, Gjermania tregoi se ende nuk ishte mirë për t’u përballur me elitën evropiane.
“Nëse do të thosha se jemi super të lumtur, atëherë kjo nuk do të ishte e vërtetë. Është e qartë se gjithçka nuk është në 100 për qind”, pranoi Flick.
Gjermania arriti të paktën në gjysmëfinale në gjashtë turne të mëdhenj radhazi midis viteve 2006 dhe 2016, por nuk ka arritur as në çerekfinale që atëherë, pasi u eliminua në 1/8 e finales nga Anglia në Euro 2020. Shpesh e eliminuar për shkak të fatit të keq dhe finalizimit të dobët, ecuria e formës së dobët po duket gjithnjë e më e rëndësishme. Pas një rënieje të ngjashme që solli eliminimin e Gjermanisë në fazën e grupeve në Euro 2000 dhe Euro 2004, një ekip i ri riktheu besimin duke arritur në katërshen e fundit të Kupës së Botës në tokën vendase në vitin 2006. Por Flick e di mirë se një largim i hershëm vitin e ardhshëm si mikpritës, do të përfaqësonte fundin e përfaqësueses më të dekoruar të Evropës.
I njohur për fjalët e tij të ashpra, fituesi i “Topit të Artë” tashmë i shndërruar në ekspert televiziv, Lothar Matthaeus, nuk ishte aspak i kënaqur me paraqitjen ndaj Belgjikës, e cila shënoi dy gola në dhjetë minutat e para të ndeshjes.
“Kjo ishte ndeshja më e keqe që kam parë në jetën time”, tha fituesi i Kupës së Botës në vitin 1990. “Ata i lanë belgët të qëndrojnë dhe të luajnë”.
Flick ndërhyri pas vetëm 30 minutash, duke inkuadruar në lojë mesfushorin Emre Can, i cili ishte titullar në ndeshjen e mëparshme kundër Perusë, dhe Gjermania dukej ndryshe më pas.
“Trajneri reagoi dhe më pas gjërat u përmirësuan”, tha sulmuesi Niclas Fuellkrug, i cili shënoi golin e tij të gjashtë në gjashtë paraqitjet e tij me fanellën e Gjermanisë.
Kapiteni Joshua Kimmich tha se “nga minuta e 30-të ishte pa dyshim më mirë”, duke shtuar se “pjesa e dytë ishte më shumë si e imagjinonim ne”.
Flick e quajti Canin “liderin agresiv që kishim nevojë” dhe e vlerësoi ish-lojtarin e Liverpoolit për “zgjimin e ekipit”.
“Një fillim i ndeshjes pas 25 minutave si ai që bëmë ndaj Belgjikës, nuk duhet të përsëritet kurrë”, insistoi Flick.
Me Gjermaninë tashmë të kualifikuar për Kampionatin Evropian si organizatore, Flick kishte premtuar të eksperimentonte me përzgjedhjet e ekipeve në dy miqësoret e këtij muaji dhe kishte hequr dorë nga disa lojtarë të rregullt të ekipit të parë, duke përfshirë Thomas Muellerin, Leroy Sanen, Niklas Suelen dhe Antonio Ruedigerin. Humbja, megjithatë nuk mund t'i takonte të rinjve të papërvojë, me vetëm katër nga 17 që dolën në fushë të martën të moshës nën 27 vjeç. Testi tjetër i Flickut do të vijë në muajin qershor, kur Gjermania do të përballet me Ukrainën në shtëpi dhe Poloninë e Robert Lewandowskit në udhëtim.
“Qëllimi ynë është të zhvillohemi më tej”, tha Flick. “Ndeshjet si këto janë të mira për zhvillimin tonë. Ne duhet t’i marrim gjërat pozitive me vete dhe të punojmë për gjërat e tjera”.
Humbja ndaj Belgjikës, e cila ka kaluar pjesën më të madhe të viteve të fundit si ekipi numër një i renditur në botë, është shumë larg nga nivelet më të ulëta të një disfate 6:0 nga Spanja në nëntor të vitit 2020 dhe humbja në shtëpi kundër Maqedonisë së Veriut në vitin 2022 në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Por kapiteni Kimmich e di se ekipi shumë duhet të ndryshojë në 15 muajt e ardhshëm, duke thënë: “Ne vumë re se nuk jemi ende në nivelin më të lartë ndërkombëtar. Fatmirësisht kemi ende pak kohë deri te fillimi i Evropianit”.