Sport

Humbja nga Austria mbyll një vit zhgënjyes për Gjermaninë para organizimit të “Euro 2024”

Ky ishte menduar të ishte viti i rindërtimit të Përfaqësueses së Gjermanisë përpara organizimit të Kampionatit Evropian. Megjithatë, skuadra lë shumë për të dëshiruar. Kur kanë mbetur më pak se shtatë muaj deri te fillimi i turneut, momenti përcaktues i humbjes së Gjermanisë 2:0 të martën nga Austria erdhi kur Leroy Sane u përjashtua me karton të kuq pasi shtyu një kundërshtar. Duke pasur parasysh se kjo ishte vetëm një ndeshje miqësore, ai incident duket se pasqyroi faktin se sa e mjerueshme dhe irrituese është bërë të luash për katër herë fituesen e Kupës së Botës, Gjermaninë.

“Kartoni i kuq për Leroyn i përmbledh të gjitha. Frustrimin, zhgënjimin edhe në veten tonë”, tha kapiteni Ilkay Guendogan, duke shtuar se ka mungesë të “energjisë pozitive” në ekip.

Përzgjedhësi Julian Nagelsmann – i cili tani ka një fitore nga katër ndeshjet e tij të para – zgjodhi një formacion sulmues me tre lojtarë përpara dhe dy të tjerë, Kai Havertz dhe Julian Brandt, si ndihmë nga krahët. Por, as kjo nuk funksionoi te Gjermania. Gjermania nuk krijoi pothuajse asnjë rast në pjesën e parë dhe kishte vështirësi t’i mbante kundërsulmet e udhëhequra nga Michael Gregoritsch, një sulmues austriak, i cili zakonisht është në stol në klubin e tij gjerman Freiburg, që është në mes të tabelës. Me fillimin e vitit 2023 kishte një sugjerim që eliminimi në fazën e grupeve të Kupës së Botës të vitit të kaluar mund të shpjegohej si një ngjarje e hershme e shkaktuar nga një përzierje e pafat faktorësh - polemika politike, kushte të panjohura, nënvlerësimi i Japonisë në humbjen e saj fillestare. Në vend të kësaj, viti 2023 do të përfundojë me Gjermaninë që ka humbur gjashtë nga 11 ndeshjet që ka luajtur dhe ka fituar vetëm tri prej tyre. Nga skuadrat që mundën Gjermaninë – Belgjika, Polonia, Kolumbia, Japonia, Turqia dhe Austria – vetëm Belgjika renditet në top 10 në botë.

Shqetësuese për tifozët e Gjermanisë është se nuk ka asnjë lidhje të dukshme midis të gjitha rezultateve të këqija. Gjermania ka humbur ndeshje në shtëpi dhe jashtë, me Hansi Flick si trajner, me Nagelsmannin, me formacione lojtarësh të rinj dhe veteranë. Në skenat më të mëdha, rekordi i kombinuar i kësaj gjenerate nga tre turnetë e saj të fundit të mëdhenj që nga viti 2018 është tri fitore, dy barazime dhe pesë humbje.

Flick bëri pak përparim duke u përpjekur të integronte lojtarë më të rinj, kështu që Nagelsmann u punësua në shtator me një kontratë afatshkurtër dhe leje për të zgjedhur një ekip më të vjetër. Formacioni startues, i cili nuk arriti ta kryente punën kundër Austrisë përfshinte pesë lojtarë mbi moshën 30 vjeç dhe vetëm një nën moshën 27 vjeç. Gjermania ka thirrur 45 lojtarë të ndryshëm vetëm këtë vit, por e vetmja fytyrë më e re që u vendos si lojtar kyç është sulmuesi i Borussia Dortmundit, Niclas Fuellkrug, me 10 gola në 13 ndeshje që nga nëntori i vitit 2022.

Një lojë nga e cila Gjermania mund të marrë frymëzim është fitorja e saj 2:1 ndaj Francës, nënkampione e Botës në muajin shtator. Kjo fitore erdhi në rrethana të pazakonta nën një ekip të përkohshëm stërvitor dhe tri ditë pas humbjes 4:1 ndaj Japonisë që i dha fund kohës së Flickut, por tregoi një shpirt luftarak të ripërtërirë që përndryshe dukej se mungonte. Gjermania do të luajë ndeshje të tjera në mars të vitit të ardhshëm, duke pasur potencialisht pak kohë për t'iu afruar Kampionatit Evropian 2024 me një mentalitet të ndryshuar.