Me Kampionatin Evropian që pritet vitin e ardhshëm, Gjermania mikpritëse shpreson këtë javë të fillojë të riparojë reputacionin e dëmtuar të ekipit të saj të futbollit. Dy dështime në Kupën e Botës dhe një paraqitje e dobët në mes kanë shkaktuar dëme të mëdha në atë që dikur ishte një trashëgimi krenare për Gjermaninë. Kampionia e katërfishtë e botës nuk po shkakton më frikë te kundërshtarët. Federata e Futbollit të Gjermanisë dëshiron ta ndryshojë këtë përpara se vendi të presë “Euro 2024”. Është një mundësi e artë për të rikthyer krenarinë e humbur, megjithëse potenciali aktual lë shumë për të dëshiruar.
Kampanja e Gjermanisë për “Evropianin 2024”, fillon këtë javë me ndeshjen miqësore kundër Perusë në Mainz të shtunën, përpara se të përballet me Belgjikën në Koeln tri ditë më vonë. Federata ia ka dhënë trajnerit Hansi Flick një tjetër shans për të udhëhequr ekipin pas eliminimit në fazën e grupeve të Botërorit “Katari 2022”. Ai gjithashtu solli ish-sulmuesin dhe trajnerin gjerman Rudi Voeller si drejtor sportiv për të mbikëqyrur atë që shpreson të jetë një ndryshim i suksesshëm. Ish-trajneri Joachim Loew tentoi një ndryshim pas daljes së Gjermanisë në raundin e parë në Kupën e Botës 2018, por nuk pati sukses. Ai u largua pas eliminimit të Gjermanisë në raundin e dytë të “Euro 2020” pas humbjes nga Anglia. Kështu, anglezët i dhanë fund qëndrimit 15-vjeçar të Loewit në krye të gjermanëve. Flick po beson të ketë më shumë sukses me fokusin te të rinjtë, duke ndërtuar skuadrën e tij mbi një bazë lojtarësh të talentuar, por të padëshmuar. Flick ka thirrur gjashtë debutues për ndeshjet kundër Perusë dhe Belgjikës, ndërsa ka lënë jashtë lojtarët e rregullt si” Thomas Mueller, Leroy Sane, Ilkay Guendogan, Antonio Ruediger dhe Marco Reus.
“Ne kemi marrë këtë rrugë për të parë se cilët lojtarë kanë potencialin për të qenë në Kampionatin Evropian vitin e ardhshëm”, tha Flick të hënën.
Mesfushori 19-vjeçar i Bayer Leverkusenit, Florian Wirtz, është ylli i ri i skuadrës gjermane, veçanërisht me 20-vjeçarin e Bayern Munichut, Jamal Musiala, i cili nuk mund të jetë pjesë e ekipit për shkak të lëndimit. Të dy ishin lojtarë tashmë të vendosur për ekipin A, megjithëse Wirtz humbi Botërorin e fundit për shkak të një dëmtimi në gju. Ndoshta për të nënvizuar besimin e ri të Gjermanisë në grupin e lojtarëve të rinj, trajneri i ekipit U21 Antonio di Salvo u shfaq së bashku me Flickun dhe Voellerin në konferencën për shtyp. Di Salvo po përgatit ekipin e tij për Kampionatin Evropian U21 që mbahet në Gjeorgji dhe Rumani këtë verë, por tha se ishte i lumtur të shihte lojtarë si , Malick Thiaw, të ftoheshin nga Flicku.
“Është një nder për lojtarët. Është gjithashtu një nder për të gjithë trajnerët e përfshirë gjatë këtij rrugëtimi”, tha Di Salvo.
Voeller theksoi gjithashtu rëndësinë e të rinjve te Gjermania. 62-vjeçari tha se suksesi i Gjermanisë në Kampionatin Evropian U21 të vitit 1982, ku ekipi i tij arriti në finale, hodhi themelet për fitoren e Kupës së Botës 1990. Ai gjithashtu iu referua kampionëve evropianë të vitit 2009, Manuel Neuer, Sami Khedira, Benedikt Howedes, Mesut Oezil që ndihmuan Gjermaninë të fitonte Kupën e Botës në vitin 2014.
“Kjo është baza për ne”, tha Voeller, i cili tha se të gjithë lojtarët në ekipet e Flickut dhe Di Salvos kanë një mundësi të artë për të luajtur për Gjermaninë në “Euro 2024”. “Është me fat që kemi këtë kampionat të mrekullueshëm evropian këtu vitin e ardhshëm. Është e rëndësishme për çdo lojtar që ta dëshmojë veten për ta siguruar një vend në ekip. Çdo turne është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por të kesh një turne në vendin tënd është diçka e veçantë”.