Një tjetër futbollist do të largohet nga futbolli evropian për ta vazhduar karrierën në Arabinë Saudite.
Bëhet fjalë për mesfushorin Rodrigo De Paul, i cili vitin e shkuar u shpall kampion bote me Përfaqësuesen e Argjentinës.
E përditshmja spanjolle “AS” raporton se De Paul pritet t’i bashkohet ekipit Al-Ahli, me të cilin tashmë ka arritur marrëveshje personale për kontratë trevjeçare dhe pagë vjetore deri në 20 milionë euro. Thuhet se Al-Ahli i ka ofruar Atletico Madridit mbi 50 milionë euro për kartonin e mesfushorit 29-vjeçar.
Afati kalimtar në Arabinë Saudite është i hapur deri më 20 shtator dhe gjasat janë të mëdha që marrëveshja mes klubeve të arrihet deri atëherë. De Paul është pjesë e Atleticos prej vitit 2021 kur iu bashkua nga Udinese dhe ka kontratë deri në vitin 2026.