Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

De Bruyne “larg formës” pas kthimit në fushë për Cityn

Belgu Kevin de Bruyne ka pranuar se nuk është as “afër formës” së tij më të mirë. Mesfushori i Manchester Cityt u rikthye në fushë pas një mungese prej pesë muajsh shkaku i dëmtimit. De Bruyne u inkuadrua nga stoli në pjesën e dytë të fitores 5:0 të Cityt kundër Huddersfield Townit në kuadër të raundit të tretë të Kupës FA, ndeshje kjo e luajtur të dielën.

Duke luajtur për herë të parë që nga dita e hapjes së edicionit 2023/24 të Premier Leagues kundër Burnleyt në muajit gusht, yllit belg iu dhanë 33 minutat e fundit në dispozicion ndaj Huddersfieldit dhe ai u kthye shpejt në rutinën e vjetër teksa asistoi për golin e pestë të Cityt që e shënoi Jeremy Doku.

De Bruyne iu nënshtrua një operacioni pas një problemi që e kishte prekur atë në fazat e fundit të edicionit të kaluar, kur e ndihmoi Manchester Cityn ta fitojë “tripletën”. Edhe pse është kthyer në gjendje të mirë fizike, De Bruyne tha të hënën se i duhet ende kohë për të arritur formën më të mirë dhe për të ngritur shpejtësinë e lojës.

“Kam punuar shumë dhe jam i lumtur që jam kthyer. U ndjeva mirë, kështu që jam i kënaqur për këtë, por nuk jam ende aty ku duhet të jem. Është një vazhdimësi e mirë e procesit të javëve të fundit, ndihem mirë, lëvizjet ishin të mira, u ndjeva rehat në atë që bëja dhe kjo ishte e vetmja gjë që kërkoja vërtetë”, tha De Bruyne. “Të marrësh atë ovacion pas pesë muajsh jashtë fushës të jep më shumë një nxitje. Do të ketë momente që dua të luaj çdo ndeshje, por e di që duhet të kujdesem për veten. Është mirë që jam rikthyer në janar ku kemi më pak ndeshje. Nuk pres të luaj shumë ndeshje dhe Newcastle javën e ardhshme është një ndeshje e madhe kështu që do të pres të kthehem në stol”.

De Bruyne u prit si hero i rikthyer nga tifozët e Cityt në stadiumin “Etihad” të dielën. Në mungesë të tij, City nuk ka pasur rezultatet më të mira për pjesën më të madhe të këtij edicioni. Me De Bruynen të rikthyer në grup, City pritet sërish të konfirmohet si kandidati kryesor për titullin e katërt rresht në Premier League, si dhe për ta mbrojtur trofeun e Ligës së Kampionëve dhe Kupës FA. Ndërsa lëndimi ishte një goditje për De Bruynen dhe Cityn, belgu beson se “pushimi regjenerues” mund të jetë një nxitje afatgjatë duke pasur parasysh orarin e ngjeshur për klubin dhe vendin në vitet e fundit.

“Të jem i sinqertë, më pëlqeu pushimi në njëfarë mënyre. Në fillim ishte një goditje e madhe, por e dija se do të jem jashtë për katër ose pesë muaj”, tha ai. “Kështu që pas reagimit të parë mendova me vete se duhej të punoja shumë, por më pas mund të shijoja gjërat që nuk kam mundur t'i bëj me familjen dhe miqtë e mi. Ndoshta ishte mirë të freskohesha pak. Nuk është se kisha nevojë për një pushim, por e bëra atë, për ta kthyer një disavantazh në avantazh”.

Edhe De Bruyne kthehet në “Etihad” për përballjen me Cityn Futboll 10 muaj më parë De Bruyne kthehet në “Etihad” për përballjen me Cityn

32-vjeçari këtë edicion në total ka tri paraqitje apo 82 minuta lojë, ku ka bërë edhe dy asistime.

De Bruyne është pjesë e Cityt prej vitit 2015 dhe ka kontratë me ekipin anglez deri në vitin e ardhshëm, të cilën pritet së shpejti ta rinovojë.