Futboll

De Bruyne kthehet në “Etihad” për përballjen me Cityn

Kevin De Bruyne

Manchester City e mirëpret të enjten mbrëma në “Etihad Stadium” një fytyrë të njohur, për ndeshjen e parë të kampanjës së re të Ligës së Kampionëve. 

City nga ora 21:00 luan ndaj Napolit, që në radhët e veta e ka edhe Kevin de Bruynen. 

Përderisa trajneri i Cityt, Pep Guardiola, qau kur mesfushori belg e luajti ndeshjen e fundit për ekipin anglez në sezonin e kaluar, tekniku spanjoll ka thënë se do të kënaqet me rikthimin e De Bruynes të enjten. 

De Bruyne i fitoi 19 trofe gjatë periudhës 10-vjeçare te City, ndërsa u largua në verë në drejtim të Napolit. 

Pavarësisht se e mban tani veshur fanellën e kaltër të Napolit, “Mbreti Kev” mbetet figurë e dashur në “Etihad”. 

Guardiola nuk është i befasuar për ambientimin e suksesshëm të De Bruynet në ekipin italian që drejtohet nga Antonio Conte. Ylli belg shënoi dy gola në tri ndeshje për Napolin. 

“Natyrisht, është mirë që ai kthehet. Lojtarët e këtij niveli përshtaten shpejt dhe nuk u duhet shumë kohë për ambientim”, ka thënë Guardiola. 

Manchester City në edicionin e kaluar të Ligës së Kampionëve u eliminua nga Real Madridi në plejofin e fazës nokaut. 

Guardiola ka thënë se edhe pse ekipi i tij nuk konsiderohet favorit këtë edicion, do t’i qaset fazës së ligës me optimizëm. 

“Vetëm po kënaqemi me momentin. Jemi të lumtur që jemi në këtë rrugë, ku kemi qenë më parë. Jemi të fokusuar për ndeshjen, për mënyrën e lojës dhe për nisjen e kampanjës në mënyrën më të mirë”, ka thënë Guardiola. “Nëse e nis me rezultat të keq, mund të jetë vështirë”. 

City mund të mbështetet në eksperiencën evropiane të portierit Gianluigi Donnarumma, i cili ishte lojtar kyç në triumfin e Paris Saint-Germainit në sezonin e kaluar. 

“Mund të them se në dekadën e fundit kemi pasur portierë të jashtëzakonshëm”, ka vazhduar Guardiola. “Por Gigi, në këtë moshë, vetëm 26-vjeçar, mund të luajë për ne edhe për shumë vjet dhe është portier i klasës botërore”. 

Me kthimin emocional të De Bruynes dhe me të dyja ekipet që synojnë nisje pozitive, përballja e së enjtes premton futboll cilësor në “Etihad”. 

Manchester City e ka humbur vetëm njërën prej nëntë ndeshjeve të fundit në garat e UEFA-s në shtëpi ndaj ekipeve italiane. Në edicionin 2024/25 e nisi fazën e ligës me barazim 0:0 ndaj Interit. 
Ndërkohë, Napoli është pa fitore në dhjetë ndeshjet e fundit në udhëtim në Evropë ndaj ekipeve angleze. 

Të enjten luhen edhe disa ndeshje të forta të xhiros së parë të fazës së ligës në Champions. 
Newcastle e pret Barcelonën, Club Brugge luan ndaj Monacos, Copenhageni kundër Bayer Leverkusenit, Eintracht Frankfurti ndaj Galatasarayt dhe Sportingu ballafaqohet me Kairat Alamtyn. 

Ndeshjet Club Brugge – Monaco dhe Copenhagen – Leverkusen nisin në orën 18:45, ndërsa të tjerat nga ora 21:00. 

Barcelonës do t’i mungojë Lamine Yamal, për shkak të një lëndimi muskulor. Lajmi është bërë i ditur të mërkurën, kur Barcelona e publikoi listën e futbollistëve që do të udhëtojnë në Angli, për ndeshjen që luhet në “St James’ Park”. 

Yamali u lëndua sa ishte në detyrë me Spanjën. Ai nuk luajti në fitoren e thellë ndaj Valencias në fundjavë. Për lëndimin e tij, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka pasur kritika për udhëheqësit e Përfaqësueses së Spanjës. Flick ka thënë se Yamali nuk është trajtuar siç duhet. 

Barcelonës i mungojnë edhe Alejandro Balde dhe Gavi, bashkë me Marc-Andre ter Stegenin. 
Barcelona në sezonin e kaluar ishte gjysmëfinaliste e Ligës së Kampionëve. 

Xhiroja e parë e Championsit nisi të martën dhe zhvillohet përgjatë tri ditëve. Xhirot e tjera zhvillohen vetëm të martën e të mërkurën.