Sulmuesi Diego Costa në sezonin e ri do të luajë në La Liga.
“Mundo Deportivo” ka raportuar të hënën se Costa ka arritur marrëveshje me skuadrën e Rayo Vallecanos. Ai te skuadra spanjolle pritet të zyrtarizohet gjatë kësaj jave.
Costa te Vallecano do të transferohet si lojtar i lirë, pasi në fillim të këtij viti e ka shkëputur kontratën me klubin nga Brazili, Atletico Mineiro.
33-vjeçari me Vallecanon do të firmosë kontratë njëvjeçare me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër.
Ai e njeh klubin mirë, pasi në dy periudha të ndryshme luajti te Vallecano i huazuar nga Atletico Madridi.