Skuadra e Chelseas ka siguruar shërbimet e qendërmbrojtësit Jules Kounde, pasi ka arritur marrëveshje me Sevillan për transferimin e tij. Lajmi është bërë i ditur të mërkurën nga e përditshmja spanjolle “AS”.
Mësohet se për kartonin e francezit, Chelsea është pajtuar t’i paguajë Sevillas 60 milionë euro dëmshpërblim, ndërsa Kounde me ekipin londinez do të firmos kontratë pesëvjeçare. Kounde është pjesë e Sevillas prej vitit 2019 dhe ka kontratë deri në vitin 2024.
Sezonin e shkuar, ai ishte ndër mbrojtësit më të vlerësuar në La Liga. Për transferimin e tij, Chelsea ka mposhtur konkurrencën e fortë të Barcelonës, ekip që po ashtu interesohej për francezin.