Sport

Bronz dhe 500 pikë për Distrinë nga gara “në vlugun e përgatitjeve”

Garat e xhudos nuk ndalen, ndonëse fokusi i ekipit të Kosovës aktualisht është përgatitja për Kampionat Evropian, Kampionat Botëror e sidomos për Lojëra Olimpike. Në “vlugun e përgatitjeve”për tri ngjarjet e mëdha, të premten nisi Grand Slami në Tbilisi të Gjeorgjisë.

Dhe Distria Krasniqi, ndonëse jo në momentin më të mirë, fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 52 kilogramë.

Në gjashtë garat e fundit Distria ka fituar gjashtë medalje. Ajo shumë rrallë mbetet pa medalje në garat ku paraqitet. Kështu ndodhi edhe të premten në kryeqendrën e Gjeorgjisë.

Distria nisi me fitore bindëse ndaj ruses Iana Zhilkina. Realizoi herët hedhje ndaj holandezes Naomi Van Krevel, por fitoi me uazari pas kohës së rregullt ndaj saj. Në çerekfinale, Distria zhvilloi luftë të fortë me spanjollen e re, Ariane Toro Soler. Pas dhjetë minutash luftë të barabartë, Soler realizoi hedhje. Distria përmes repesazhit e mposhti zviceranen Binda Ndiaye, e më pas fitoi bindshëm ndaj kinezes Yeqing Zhu për vend në podium.

Si kampione olimpike dhe bartëse e parë, e bronzta është “vetëm” rezultat solid për xhudisten kosovare. Ajo fitoi 500 pikë në ranglistën botërore dhe bëri një testim të formës para ngjarjeve më të mëdha.

“Distria po tregon qëndrueshmëri në formë, pavarësisht se në çfarë faze të përgatitjeve jemi”, ka theksuar trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Spanjollja Toro Soler e fitoi të artën në fund. Sajti zyrtar i IJF-së ka shkruar se Distria është pritur ta fitojë të artën, por se është befasuar nga spanjollja. IJF-ja ka shkruar se në luftën për medalje të bronztë, Distria ishte “e vërteta”.

Flaka Loxha u ndal në luftën e tretë në kategorinë deri 57 kg. Të shtunën garon Laura Fazliu e të dielën Loriana Kuka.

Në Tbilisi po garojnë 531 xhudistë nga 83 shtete të ndryshme.