Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Vdes në moshën 85-vjeçare aktori i njohur i “Prison Break”, Stacy Keach

Stacy Keach

Stacy Keach

Foto: Associated Press

Aktori veteran amerikan, Stacy Keach, ka vdekur në moshën 85-vjeçare, në shtëpinë e tij në Poloni, pas një beteje të gjatë me probleme të rënda të zemrës, ka shkruar FemaleFirst.

Ai ka vdekur të martën, më 10 nëntor 2026, në Magdalenka të Polonisë. Lajmin e bëri të ditur bashkëshortja e tij, Malgosia Keach, e cila tregoi se aktori kishte vuajtur prej kohësh nga një sëmundje serioze e zemrës dhe insuficienca kardiake.

“Stacy u largua nga kjo botë në paqe. Ai luftoi për një kohë të gjatë, me guxim, vendosmëri dhe forcë të jashtëzakonshme. Ishte një luftëtar i vërtetë dhe e përballoi sëmundjen me të njëjtën forcë shpirtërore që e karakterizoi gjatë gjithë jetës”, ka thënë ajo në një deklaratë për People.

Ajo ka shtuar se për të nuk ishte vetëm një aktor legjendar, i dashur nga publiku në mbarë botën, por edhe bashkëshorti, shoku i jetës dhe pjesëtar i rëndësishëm i familjes.

Keach ka lënë pas një karrierë të gjatë, që përfshiu teatrin, kinemanë dhe televizionin. Ai nisi rrugëtimin artistik në vitin 1964, me shfaqjen “Hamlet”, në Central Park të New Yorkut.

Në vitin 1969 u nominua për çmimin prestigjioz "Tony", në kategorinë e aktorit më të mirë në një shfaqje teatrale, për rolin në “Indians”.

Ai u bë i njohur për interpretimin e detektivit privat në serialin televiziv “Mickey Spillane’s Mike Hammer”, rol që i siguroi edhe një nominim për çmimin “Golden Globe”.

Një tjetër sukses i rëndësishëm ishte interpretimi i shkrimtarit Ernest Hemingway në miniserialin televiziv “Hemingway”, për të cilin fitoi çmimin “Golden Globe” si aktori më i mirë në një miniserial ose film televiziv. Për të njëjtin rol u nominua edhe për çmimin “Emmy”.

Në kinema, Keach u shfaq në disa produksione të njohura, mes tyre “The Duellists” (1977), “American History X” (1998), “The Bourne Legacy” (2012) dhe “Nebraska” (2013). Ai ishte gjithashtu pjesë e filmave “Fat City” dhe “The Life and Times of Judge Roy Bean”.

Stacy Keach ishte djali i aktorit Stacy Keach Sr. dhe vëllai më i madh i aktorit James Keach.