Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti takon Sorensenin, kërkon normalizim me Serbinë me fokus njohjen reciproke

Peter Sorensen & Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Paris me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, me të cilin ka diskutuar perspektivat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me fokus njohjen reciproke.

Takimi është zhvilluar në margjinat e Forumit të Paqes në Paris. Kurti ka bërë të ditur se me Sorensenin ka diskutuar edhe për stabilitetin institucional të Kosovës pas zgjedhjes së presidentit, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Sot, në margjinat e Forumit të Paqes në Paris, u takova me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, ka shkruar Kurti në “X”. 

Edhe Sorenseni ka konfirmuar takimin, duke thënë se me Kurtin kanë diskutuar rrugën përpara në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe aspekte të ndryshme të procesit të normalizimit.

“Diskutim i frytshëm sot në Paris me kryeministrin Kurti. Me institucionet tashmë të konsoliduara në Prishtinë, biseduam për hapat e mëtejshëm në dialogun Beograd-Prishtinë dhe për aspekte të ndryshme të procesit të normalizimit, të cilat janë të rëndësishme për qytetarët në terren dhe për rajonin”, ka shkruar ai. 

Gjatë një diskutimi me disa studentë të një shkolle në Paris gjatë ditës së djeshme, Kurti ka thënë se pret nga udhëheqja e re e Serbisë ta njohë Kosovën.