Dy persona janë arrestuar të mërkurën nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, të dyshuarit H.L. dhe T.M., shtetas kosovarë, në cilësinë e drejtorit dhe menaxherit të një kompanie, dyshohet se kanë keqpërdorur 62 mijë e 902 euro nga dy grante, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 575 mijë e 736 euro.
Granti i parë, në vlerë prej 293 mijë e 500 eurosh, dyshohet se është keqpërdorur në shumën prej 23 mijë eurosh. Ndërsa nga granti i dytë, në vlerë prej 282 mijë e 236 eurosh, dyshohet se janë keqpërdorur 39 mijë e 902 euro.
Sipas Policisë, të dyshuarit kanë paraqitur raporte të rreme, duke deklaruar se shpenzimet për blerjen e makinerive ishin realizuar në tërësi, ndonëse një pjesë e mjeteve ishte keqpërdorur.
Arrestimi i tyre është bërë në vazhdën e hetimeve për rastin e 4 tetorit 2026. Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me urdhër të prokurorit të rastit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.