Trajneri nga Gjermania, Andre Breitenreiter, është kandidati kryesor për postin e selektorit të Përfaqësueses së Kosovës, ka njoftuar sajti zviceran “20 minuten”. Madje thuhet se marrëveshja mes palëve tashmë është arritur dhe do të bëhet zyrtare brenda këtij muaji. Mësohet se drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) kanë pasur bisedime konstruktive me trajnerin gjerman, i cili shihet si njeriu i duhur për ta marrë drejtimin e “Dardanëve”.
Breitenreiter në këtë post do ta zëvendësojë sllovenin Primozh Gliha, të cilit i skadoi kontrata me të përfunduar cikli eliminator për “Euro 2024”. Gjermani 50-vjeçar prej muajit shkurt të këtij viti ka qenë i papunë, pasi u largua nga Hoffenheimi, ekip që bën gara në Bundesligë. Kryesisht ka punuar në Gjermani, ku ka drejtuar ekipet si Hannover, Schalke, Paderborn e Halvese.
Gjatë edicionit 2021/22 ishte në krye të skuadrës së Zuerichut, me të cilën e fitoi titullin e kampionit të Zvicrës. Si futbollist Breitenreiter ka luajtur në Gjermani për disa skuadra të ndryshme, si dhe ka luajtur për gjeneratat e reja të këtij vendi.
LEXO EDHE: