Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bayerni me test të vështirë në Gladbach

Bayern Munichu në xhiron e tretë të Bundesligës, do të ketë kundërshtar dukshëm më të vështirë se sa në dy xhirot e para, në të cilat shënoi fitore. Këtë herë, Bayerni do të jetë mysafir i Borussia Moenchengladbachut, ekip që vazhdimisht i ka shkaktuar telashe bavarezëve vitet e fundit. Kjo përballje nis në orën 18:30 të shtunën dhe Gladbachu do të jetë në kërkim të fitores së parë këtë edicion. Aktualisht, Gladbachu ka tubuar vetëm një pikë, pesë më pak se Bayerni që është lider në Bundesligë.

Bayer Leverkuseni i Granit Xhakës, vlerësohet favorit përball Darmstadtit, ndeshje që e luan në shtëpi, të shtunën prej orës 15:30. Me gjashtë pikë të mbledhura pas dy ndeshjeve të luajtura deri më tani, Leverkuseni vlerësohet në mesin e skuadrave favorite për titullin e kampionit këtë edicion në Bundesligë.

Darmstadti është në pjesën e poshtme të tabelës pa pikë, pasi i ka humbur dy ndeshjet e para. Sulmuesi Mërgim Berisha ka gjasa të debutoj te Hoffenheimi, ekip të cilit iu bashkua ditë më parë. Hoffenheimi, të shtunën prej orës 15:30 e pret në shtëpi skuadrën e Wolfsburgut që ka gjashtë pikë.

Koelni i Leart Paqaradës, të dielën do të përballet me skuadrën e Eintracht Frankfurtit. Këtë ndeshje që nis në orën 15:30, Koelni e luan në udhëtim. Edhe Koelni është pa pikë këtë edicion, por do ta ketë vështirë kundër Frankfurtit që ka një fitore dhe një barazim.

Xhiroja në Bundesligë, do të mbyllet të dielën prej orës 18:30 me ndeshjen e fortë ndërmjet Union Berlinit dhe Leipzigut. Edhe Union Berlini i ka fituar dy ndeshjet e para dhe e luan në shtëpi këtë ndeshje ndaj Leipzigut që ka tri pikë dhe edicionin e startoi me triumf në Superkupën e Gjermanisë.

Artikuj të ngjashëm