Bayer Leverkuseni synon ta mbajë distancën e pikëve me Bayern Munichun edhe pas xhiros së 19-të në Bundesligën gjermane. Leverkuseni i Granit Xhakës është lider në tabelë me 48 pikë, katër më shumë se Bayerni që renditet i dytë. Skuadra e Leverkusenit, të shtunën prej orës 18:30 e pret në shtëpi Borussia Moenchengladbachun, një kundërshtar tejet i papërshtatshëm.
Megjithatë, Leverkuseni vlerësohet favorit duke pasur parasysh se këtë edicion është ekipi i vetëm pa humbje në kampionat. Në anën tjetër, Gladbachu është i 12-ti me 20 pikë dhe në pesë ndeshjet e fundit në kampionat ka tri humbje, një fitore dhe një barazim.
Edhe skuadra e Bayern Munichut luan të shtunën. Prej orës 15:30 është mysafir i skuadrës së Augsburgut që zë vendin e dhjetë në tabelë dhe xhiron e shkuar e mposhti Gladbachun.
Të shtunën në të njëjtën kohë do të jetë edhe një duel tjetër interesant, ai ndërmjet Stuttgartit dhe Leipzigut. Të dyja skuadrat synojnë që në këtë përballje të kthehen te fitorja pas dy humbjeve rresht. Stuttgarti është i treti në tabelë me 34 pikë, një më shumë se skuadra e Leipzigut që zë vendin e katërt.
Ndërkohë Borussia Dortmundi i vendit të pestë e pret në shtëpi skuadrën e Bochumit. Kjo ndeshje e mbyll këtë xhiro të kampionatit gjerman pasi luhet të dielën prej orës 17:30. Dortmundi synon fitoren e tretë rresht, ndërsa të dielën por prej orës 15:30 luhet dueli mes Union Berlinit e Darmstadtit.