Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Christos Marmarinos e ka publikuar listën e lojtarëve për ndeshjet e muajit nëntor, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) të enjten. Në listën e gjerë të Marmarinosit, janë përzgjedhur 17 basketbollistë. Kosova në fund të muajit nëntor i luan dy ndeshje në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”.
Më 25 nëntor, Kosova do të përballet në udhëtim me Norvegjinë kurse tri ditë më vonë e pret Suedinë në Prishtinë. FBK-ja, ka njoftuar se për shkak të rregullave nga FIBA nuk do të ketë grumbullim dhe lista përfundimtare prej 12 lojtarëve, do të bëhet publike më 12 nëntor.
Marmarinos në fillim të muajit të ardhshëm do të jetë në Kosovë dhe do t’i përcjellë nga afër basketbollistët që aktivizohen nëpër skuadrat kosovare. Në listën e gjerë, është ftuar vetëm një amerikan i natyralizuar, plejmejkeri Divine Myles. Lojtarët tjerë, të përfshirë në këtë listë janë: Valon Bunjaku, Fatlind Shoshaj, Arti Hajdari, Dardan Berisha, Mikaile Tmushiq, Denis Zenelaj, Erjon Kastrati, Altin Morina, Meriton Ismaili, Drilon Hajrizi, Samir Zekiqi, Muhamedali Janjeva, Gëzim Morina, Fisnik Rugova, Urim Zenelaj e Dion Sheqiri.