Sport

Kosova pa amerikanë në përbërje, kërkon suksesin në Sllovaki

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Christos Marmarinos, të mërkurën do ta fillojë punën me lojtarë në prag të ndeshjeve parakualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2023. Kosova javën tjetër do të luajë kundër Sllovakisë (26 nëntor) dhe Islandës (28 nëntor) në Bratislavë, kurse Marmarinos do të nisë punën e tij vetëm pasi të kuptojë rezultatet e testeve për koronavirus që basketbollistët e Kosovës i kanë bërë të hënën.

Në momentin që do të merren rezultatet e testeve, ekipi do të karantinohet në një hotel dhe do të stërvitet pa pasur kontakte me askënd, në mënyrë që mos të rrezikohet dikush prej anëtarëve që të preket me koronavirus. Të paktën këtë plan e kanë në FBK.

Greku Marmarinos për ndeshjet e këtij muaji ka ftuar 16 basketbollistë, tre më shumë se që duhet, për shkak të situatës me pandeminë. Ai shpreson që gjërat të shkojnë mirë edhe pse pranon se karantinimi i ekipit nuk do të jetë aspak i lehtë.

“Në momentin që do ta kuptoj se cilët lojtarë do të jenë në dispozicion, do të punojmë sipas planit në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë. Do të luajmë me ata që do të jenë të gatshëm dhe pres të luftojmë duke mos u dorëzuar për asnjë moment sepse e kemi një kauzë. Duam ta përfaqësojmë Kosovën në mënyrën më të mirë”, është shprehur Marmarinos për KOHËN. “Karantina nuk është e mirë për askënd, por nuk bën të ankohemi për gjërat që nuk mund t’i kontrollojmë”.

Në këtë grumbullim Kosovës do t’i mungojnë lojtarët e natyralizuar. Sipas FBK-së, ata nuk janë ftuar për shkak të situatës por edhe për shkak se nuk janë në formën më të mirë. Në listë janë përfshirë 13 basketbollistë të ekipeve të Superligës së Kosovës dhe tre që luajnë jashtë kufijve: Mikaile Tmushiq, Gëzim Morina e Erjon Kastrati. Më së shumti basketbollistë janë ftuar nga skuadra e Sigal Prishtinës, gjithsej pesë, që janë konfirmuar edhe nga ekipi kryeqytetas: Edmond Azemi, Altin Morina, Arian Qallaku, Fisnik Rugova e Meriton Ismaili. Prej Pejës janë ftuar Dardan Berisha e Drilon Hajrizi pastaj Samir Zekiqi, Valon Bunjaku e Leonard Mekaj nga Golden Eagle Ylli. Ndërkohë Rahoveci, Ponte Prizreni e Bashkimi kanë nga një të ftuar: Alban Veseli, Urim Zenelaj e Musab Mala.

“Në listë janë përfshirë më shumë lojtarë, në mënyrë që nëse ka ndonjë telash, atëherë të ketë opsione që në Sllovaki të udhëtojnë 13 sish. Rezultatet do t’i marrim të mërkurën kur edhe ekipi do të karantinohet dhe fillojë punën. Edhe të shtunën do të bëjmë një test përpara se të hënën ekipi të niset drejt Sllovakisë”, ka thënë sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku.

“Sa u përket amerikanëve, ata nuk janë ftuar për shkak të situatës, por edhe për arsye se nuk kanë treguar formë të mirë”.

Kosova bën pjesë në grupin B të parakualifikimeve dhe është e para në grup me katër pikë të tubuara pas dy fitoreve në po aq ndeshje të zhvilluara. Kosova ka triumfuar ndaj Islandës (80:78) dhe Luksemburgut (84:80), në shkurt. Islanda dhe Sllovakia kanë nga një fitore dhe një humbje derisa Luksemburgu nuk di për fitore në këto parakualifikime.