Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Basketboll, Kosova U20 e mbyll Evropianin me humbje të thellë

Përfaqësuesja U20 e Kosovës në basketboll, e ka mbyllur Kampionatin Evropian në Divizionin B me humbje të thellë. Të dielën, Kosova është mposhtur nga Gjeorgjia me shifrat 116:79 në ndeshjen për vendin e 11-të.

Me këtë humbje, Kosova e ka përfunduar këtë Evropian që u mbajt në Tbilisi të Gjeorgjisë në pozitën e 12-të. Në total, Kosova ka zhvilluar gjashtë ndeshje në këtë Evropian duke regjistruar vetëm dy fitore karshi katër humbjeve.

Në duelin ndaj Gjeorgjisë, Kosova nuk e fitoi asnjërin prej katër çerekëve. Bardh Istrefi me 21 pikë e 12 kërcime ishte më i dalluari te Kosova.

Ndërsa, pikë dyshifrore regjistruan edhe Don Polloshka e Donat Rexhepi që realizuan nga 14 pikë secili, por që nuk arritën ta shmangin humbjen e thellë. Nikoloz Gaprindashvili ishte më efikasi te Gjeorgjia me 30 pikë të shënuara.