Trepça e Mitrovicës ka barazuar me Vogoshqan, të premten mbrëma në Bosnjë-Hercegovinë. Ishte kjo ndeshja e parë e raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë. Ndeshja përfundoi me rezultatin 27:27.
Skuadra mitrovicase kishte aksionin për të kaluar në epërsi 28:27, por gaboi. Në anën tjetër edhe skuadra boshnjake nuk e shfrytëzoi aksionin e fundit dhe ndeshja e parë nuk dha fitues.
Vendase të premten ishte Trepça, por me pajtim të skuadrave të dy ndeshjet do të zhvillohen në Vogoshqa të Bosnjë-Hercegovinës. Ndeshja e dytë është të dielën prej orës 17:00 në të cilën mitrovicasit do të kërkojnë kalimin në raundin e tretë të Kupës Evropiane.
Ndeshja nisi mirë për Trepçën, që krijoi epërsi prej dy golash në minutën e dhjetë. Trepça kishte epërsi 6:4, 7:5, 8:6 dhe 9:7 dhe 11:9. Megjithatë pas pjesës së parë Vogoshqa ishte para, 14:13. Skuadra boshnjake në pjesën e dytë krijoi epërsi deri në katër gola, 24:20, por mitrovicasit nuk u dorëzuan. Në minutën e 59-të barazuan në 27:27 me të cilin rezultat përfundoi ndeshja.
Deniz Terziqi ishte më efikasi me 11 gola nga 16 tentime. Lulzim Shabani i shënoi gjashtë gola nga dhjetë tentime, ndërsa tri gola nga pesë tentimi i kishte Shpëtim Mehmeti. Tri gola nga pesë tentime i kishte edhe braziliani De Carvalho Fernandes. Behar Terziqi i kishte gjashtë pritje.
Edhe
Eliminim pafat i Trepçës në Bosnjë-Hercegovinë
Cilësia e skuadrave ishte e njëjtë. Nëse deri të dielën Trepça ia del të përmirësojë disa elemente që nuk funksionuan të premten, atëherë kualifikimi është mëse i mundshëm.
Për Trepçën është ndeshja e pestë evropiane. Katër ndeshjet e kaluara i kishte humbur me rezultat të thellë. Trepça është fituese e Kupës së Kosovës në hendboll. Vogoshqa është po ashtu fituese e Kupës në Bosnjë-Hercegovinë dhe ka përvojë më të gjatë në gara evropiane.