Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Trepça fiton edhe në “FIBA Europe Cup”

KB Trepca

Trepça kishte ecuri prej katër disfatave rresht, por tani ka lidhur edhe fitoren e dytë të njëpasnjëshme. 
Pas humbjeve në Superkupën e Kosovës, Superligë dhe në xhiron e parë të “FIBA Europe Cup”, mitrovicasit fituan ndaj Vëllaznimit në fundjavë. Dhe të mërkurën mbrëma vazhduan me paraqitje të mirë. 

Trepça në ndeshjen e dytë të fazës grupore në “FIBA Europe Cup”, fitoi të mërkurën në udhëtim ndaj BC Splitit të Kroacisë me rezultatin 78:69. 

Edhe Bashkimi është dashur të luante të mërkurën në mbrëmje në udhëtim ndaj Manchesterit të Anglisë. Por, pati telashe me pajisje me viza dhe nuk udhëtoi. Bashkimi është në Grupin F, ndërsa e ka një fitore në xhiron e parë. 

Trepça e humbi çerekun e parë 22:19, por e bëri dallimin në periudhën e dytë. Skuadra e udhëhequr nga trajneri Adis Beqiragiq fitoi 19:6 dhe shkoi në pushim me dhjetë pikë dallim. 

Nuk lejoi befasi në pjesën e dytë dhe fitoi me nëntë pikë dallim. 

Kevin Bracy-Davis i kishte statistikat më të mira me 18 pikë, gjashtë kërcime e një asistim. Me 15 pikë kontribuoi James Graham, ndërsa JaCori Payne i realizoi 12 pikë. Nga 11 pikë i patën Drilon Hajrizi dhe Mikaile Tmushiq. 

Slloveni Matic Rebec ishte më efikasi te skuadra kroate me 15 pikë, dy kërcime e dy asistime. 

Ndeshjen e radhës në këtë garë e luan ndaj BK Opavas më 21 tetor, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. 

Para asaj ndeshjeje, të dielën nga ora 17:00, luan në udhëtim te Bora në xhiron e pestë të Superligës së Kosovës.