Një grup personash të maskuar hynë në shtëpinë e sulmuesit të Barcelonës, Pierre-Emerick Aubameyang, të cilin e sulmuan dhe e grabitën herët të hënën, tha klubi spanjoll. Barcelona e konfirmoi incidentin dhe tha se lojtari dhe gruaja e tij ishin mirë. Autoritetet i thanë të përditshmes spanjolle “El Pais” se Aubameyangu u godit dhe u detyrua të hapte një kasafortë ku çifti mbante bizhuteri. Sulmuesit dyshohet se e kërcënuan atë dhe gruan e tij me armë dhe shufra hekuri.
Autoritetet thanë se të paktën katër meshkuj hynë në shtëpinë e lojtarit dhe më pas u arratisën me një makinë. 33-vjeçari, Aubameyang, një reprezentues i Gabonit, nënshkroi me Barcelonën në fillim kë tij viti pas periudhave të gjata me Borussia Dortmundin në Bundesligë dhe Arsenalin në Premier League. Në fakt, ai u transferua te Barça si lojtar i lirë, pasi e shkëputi kontratën me Arsenalin. Sezonin e shkuar, ai shënoi 13 gola dhe ndihmoi Barcelonën ta siguronte kualifikimin në Ligën e Kampionëve për edicionin 2022/23. Aubameyangu nuk luajti në fitoren 4:0 të Barcelonës ndaj Valladolidit në ligën spanjolle të dielën në mbrëmje. Ai është ndër lojtarët që pritet të shitet te një ekip tjetër këtë verë, në mënyrë që klubi të mund të jetë në rregull me bilancin financiar. Dy javë më parë, transferimit të ri të Barcelonës, Robert Lewandowskit, iu rrëmbye një orë nga dora teksa mbërriti për stërvitje në qendrën stërvitore të klubit. Nuk është e pazakontë që shtëpitë e lojtarëve të futbollit të grabiten në Spanjë, megjithëse krimet zakonisht ndodhin kur sportistët dhe familjet e tyre janë larg gjatë ndeshjeve. Ndër viktimat e raportuara në të kaluarën ishin Casemiro, Alvaro Morata, Gerard Pique, Samuel Umtiti, Jordi Alba dhe ish-trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane. Policia spanjolle disa vite më parë çmontoi një bandë që kishte grabitur shtëpitë e lojtarëve gjatë ndeshjeve.