Sport

Atletët kosovarë paraqiten për të garuar në Beograd

Më 12 shkurt, kryeqyteti i Serbisë, Beogradi, do të jetë nikoqir i Kampionatit Ballkanik U-20 në palestër.

Pjesëmarrjen në Ballkanikun për grupmoshën U-20 e ka paraqitur edhe Kosova. Federata Atletike e Kosovës (FAK) ka paraqitur katër vrapues dhe katër vrapuese për Kampionatin Ballkanik që zhvillohet në kryeqendrën e Serbisë. Me garuesit e Kosovës planifikojnë të udhëtojnë drejt Serbisë selektori dhe tre zyrtarë të Federatës Atletike, në krye me kryetarin Halil Sylejmani.

Sylejmani nuk ka dashur t’i japë jehonë shkuarjes së planifikuar në Beograd. Por, ai ka konfirmuar se Federata e Atletikës së Serbisë është e njoftuar për paraqitjen e ekipit të Kosovës për të marrë pjesë në Ballkanikun U-20. Pritet të jetë një lloj testimi për pjesëmarrjen e Kosovës në Botëror. Kampionati Botëror i atletikës në palestër mbahet prej 18 deri më 20 mars po në kryeqendrën e Serbisë.

“Ne jemi 12 persona që jemi lajmëruar për të shkuar. Kam biseduar edhe me kryetarin e Federatës Atletike të Serbisë. Federata është e lajmëruar, kemi paraqitur ekipin për të marrë pjesë në garë më 12 shkurt”, ka thënë Sylejmani të enjten për KOHËN.

Sylejmani ka thënë se në fanellat e atletëve do të jetë shkrimi “Kosova”. Sipas Sylejmanit, asnjë ekip pjesëmarrës në garën në Beograd nuk do të paraqitet me flamujt e shteteve të tyre.

“Të gjitha shtetet do të paraqiten pa flamuj, por logoja e Federatës Atletike të Kosovës do të jetë në gjoks të fanellave dhe prapa është e shkruar Kosova. Ne edhe në Rumani, Çeki, Qipro i kemi mbajtur kështu garat. Asnjë shtet nuk do të ketë flamujt. Urojmë të mos kemi asnjë incident”, është shprehur Sylejmani.

Sylejmani më herët ka thënë se çështjen e pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare, që mbahen në Serbi, e ka hapur në një Kongres të Federatës Ballkanike të mbajtur pak kohë më parë në Beograd.

Në Federatën e Atletikës së Kosovës ka optimizëm se do të thyejnë barrierën e madhe, fillimisht në Ballkanikun U-20 e më pas edhe në Botërorin në palestër.

Deri më tani sportistët nga Kosova nuk janë lejuar të garojnë në ngjarjet madhore të mbajtura në territorin e Serbisë. Janë disa raste kur sportistët kosovarë nuk janë lejuar të hyjnë në Serbi për të garuar në ngjarje ndërkombëtare.

Sa i takon Botërorit, Asociacioni Ndërkombëtar i Atletikës ka thënë se nuk pret telashe për pjesëmarrjen e Kosovës.

“Është një kusht i organizimit të garës (pjesëmarrja e të gjitha delegacioneve që shprehin interesim), kështu që nuk parashikojmë ndonjë problem”, pati thënë më herët një zëdhënës i Federatës Botërore të Atletikës.

Deri më tani, Federata e Atletikës e Kosovës nuk është paraqitur për të garuar në ngjarjet e mbajtura në Serbi, ndonëse kishte presion të brendshëm për të bërë këtë. Pjesëmarrja në Botëror bëhet me normë të fituar. Kosova nuk ka ndonjë normë. Por, Kosova e ka të drejtën të marrë pjesë me një vrapues apo vrapuese, përjashto disiplinën 800 metra. Këtë të drejtë ka gjasë ta shfrytëzojë, nëse nuk paraqiten komplikime të natyrës politike.

Vjet boksierët kosovarë nuk u lejuan të hynin në territorin e Serbisë për të garuar në Botëror. Më herët fatin e njëjtë e kishin karateistët, ndërsa hendbollistet e reja ishin vendosur afër Beogradit dhe mbesin të vetmet që duke përfaqësuar Kosovën kanë ushtruar në Serbi. Por as ato nuk ishin lejuar të luanin me vendim të Qeverisë së Serbisë. Edhe mundja këtë vit ka ngjarje madhore në Serbi.