Sport

Ballkaniku i atletikës në Serbi u mbajt pa Kosovën pjesë të tij

Në shkurt të vitit të kaluar gjashtë atletë të rinj për herë të parë përfaqësuan Kosovën në një garë ndërkombëtare të mbajtur në territorin e Serbisë. Ata morën pjesë në Kampionatin Ballkanik në palestër për garuesit deri në 20 vjet. E mbyllën garën pa ndonjë sukses. Sukses i madh, megjithatë, u vlerësua pjesëmarrja e sportistëve kosovarë në një ngjarje në Serbi.

Një muaj pas atletëve të rinj, Kosova u përfaqësua në Serbi me atleten Gresa Bakraqi, në Kampionatin Botëror të atletikës në palestër. Edhe Bakraqi nuk pati ndonjë sukses, por mjaftoi pjesëmarrja për ta cilësuar të arritur të madhe. Madje asaj i ishin mbuluar shenjat e Kosovës gjatë garimit.

Kosova edhe sivjet e kishte “mundësinë” për t’u paraqitur në një ngjarje ndërkombëtare të atletikës të organizuar në territorin e Serbisë, saktësisht në Kralevë. Por në Federatën Atletike të Kosovës vlerësojnë se nuk ka qenë momenti për të dërguar sportistë në Kampionatin Ballkanik për seniorë që u mbajt të shtunën e të dielën në këtë qytet të Serbisë.

Pjesë e Ballkanikut ishte Shqipëria, që madje arriti sukses të madh me Luiza Gegën.

Kryetari i Federatës Atletike të Kosovës, Halil Sylejmani, insiston se nuk ishin momenti dhe vendi i përshtatshëm për pjesëmarrje.

“Nuk është momenti. Do të shkonim me një apo dy atletë, por në Kralevë nuk është mirë. Asgjë tjetër nuk ka. Nuk kemi marrë pjesë vetëm për shkak të sigurisë së ekipit”, ka thënë Sylejmani të dielën për KOHËN.

Shqipëria ishte njëra prej 20 shteteve pjesëmarrëse në Kampionatin Ballkanik të atletikës. Luiza Gega fitoi të artën në vrapimin 3000 metra me pengesa dhe siguroi kualifikimin për në lojërat olimpike “Paris 2024”.

Serbi Slobodan Brankoviq është kryetar i Federatës Ballkanike të Atletikës.

“Kam mundur t’i shkruaj Ministrisë, por është e kotë. Nuk ia vlente të shkonim. Ne kemi shkuar me atletë të rinj në Ballkanik dhe Botëror, por aty e kam ditur se nuk ka ku të shkojmë”, ka theksuar Sylejmani.

Sylejmani thotë se ftesa ka qenë e hapur për të gjithë. Por thekson se është dashur të ftohej nga Brankoviqi, ashtu siç Sylejmani thotë se ishte kontaktuar gjatë pjesëmarrjes së Kosovës me të rinjtë në Beograd.

Udhëtimi për në Beograd vjet ishte bërë në heshtje të plotë. Delegacioni kosovar ishte përcjellë nga policia serbe që nga kufiri deri në Beograd. Hoteli ishte ruajtur nga policia serbe, njëjtë si arena.

Nuk kishte pasur ndonjë problem të sigurisë për delegacionin kosovar. Por në Kralevë është ndryshe.

“Edhe selektori, këshilli profesional, trajnerët nuk kanë insistuar të shkojmë. Nuk ka qenë e rrugës të marrim pjesë këtë herë”, ka thënë Sylejmani.

Ai është i kënaqur me punën që bëhet në Federatë. Thotë se kanë ecur para në disa aspekte, ndërsa pret në një të ardhme të afërt të ketë edhe fitues të medaljeve evropiane apo botërore.

“Qëllimin e kemi të nxjerrim një kampion. Por pa shteg të atletikës vështirë të arrihen rezultate. Në vitin 2024 është planifikuar të ndërtohet një shteg në Bërnicë e po ashtu edhe në Kamenicë. Aktualisht nuk kemi ndonjë shteg”, ka thënë Halil Sylejmani.