Gjykata Themelore në Pejë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim katër personave të dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Nurije dhe Driton Sylaj dyshohen se ndihmuan Albert Sylajn në kryerjen e vrasjes, ndërsa Metë Pepaj dhe Gëzim Bobi dyshohen se e ndihmuan atë të fshihej pas kryerjes së krimit
Nga një muaj paraburgim ua ka caktuar të mërkurën Gjykata Themelore në Pejë katër të dyshuarve për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, që u arrestuan një ditë më parë.
Nurije dhe Driton Sylaj, që janë ish-vjehrra dhe ish-kunati i së ndjerës, dyshohen se ndihmuan Albert Sylajn në kryerjen e vrasjes, kurse Metë Pepaj e Gëzim Bobi, dyshohen se e ndihmuan atë pas kryerjes së vrasjes.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, Sami Sharaxhiu, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurve N. S. dhe D. S., për shkak të dyshimit për veprën penale ‘Ndihma në kryerjen e veprës penale Vrasja e rëndë’, nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.4, lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa ndaj të pandehurve M. P. dhe G. B., për veprën penale ‘Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale’, nga neni 380, paragrafi 3, i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
E, në kërkesën e Prokurorisë për ta ndërmarrë këtë masë, thuhet se ish-vjehrra e Arlinda Zekajt, Nurije Shala, në ditën kritike ka qenë e pranishme në shtëpi, fillimisht në sallon e më pas edhe në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Arlbert Sylaj e ka sulmuar viktimën me sëpatë, duke mos ndërmarrë asnjë veprim për penguar ose ndërprerë sulmin.
Për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Vrasja e rëndë”, dyshohet edhe ish-kunati i Arlinda Zekajt, Driton Sylaj.
Sipas Prokurorisë, ai me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj.
Aty theksohet se Driton Sylaj dyshohet se i ka përcjellë lëvizjet e viktimës dhe ka siguruar informacione për vendndodhjen e saj, duke e incizuar tek sa ajo ishte duke ecur në qytet.
E, për të dyshuarin Metë Popaj, Prokuroria ka theksuar se në ditën kur ndodhi vrasja me dashje e ka ndihmuar Albert Sylajn në shmangien e arrestimit dhe zbulimit nga organet e drejtësisë.
Ndërsa, Gëzim Bobi dyshohet se e ka marrë dhe strehuar Sylajn në banesën e tij, duke i mundësuar fshehjen dhe qëndrimin larg organeve të rendit.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, është vrarë më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Ndërkaq, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, pak orë para vrasjes është ndaluar nga organet e rendit, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.