Federata Botërore e Atletikës (World Athletics) ka publikuar të dielën listën prej 680 atletëve pjesëmarrës në Kampionatin Botëror në palestër që do të mbahet fundjavën e ardhshme në Beograd.
Kosova ka aplikuar me dy atletë, ndërsa vetëm vrapuesja Gresa Bakraqi është përzgjedhur nga World Athletics.
Hedhësi i gjyles, Muhamet Ramadani, nuk është në mesin e atletëve që do të marrin pjesë në Botërorin e Beogradit.
Bakraqi është përfshirë në listën përfundimtare të pjesëmarrësve në Botërorin që nis më 18 dhe përfundon më 20 mars. Ajo duhet të garojë në disiplinën 1500 metra vrapim. Prej 680 garuesve, 308 janë femra, ndërsa 372 janë meshkuj.
Në fakt, si Bakraqi ashtu edhe në Federatën e Atletikes të Kosovës (FAK) nuk janë të sigurt nëse do të lejohen të marrin pjesë. Thonë se pengesa mund të jetë që në kufirin me Serbinë.
Kryetari i FAK-ut, Halil Sylejmani, ngul këmbë se në Serbi nuk do të marrin pjesë pa simbole shtetërore.
“Duhet të shkojmë, a na lënë apo jo është çështje tjetër. Me federatat përkatëse, botërore, evropiane dhe ballkanike kam folur goxha shumë. Nuk mund të them asgjë më shumë. Nuk ka gjasa që ne të marrim pjesë pa simbolet shtetërore. Do ta informojmë Federatën Botërore që mund të kemi pengesa në kufi. Por edhe mund të lejohemi të marrim pjesë. Nuk e di se si do të jetë rruga jonë, por pa flamur nuk do të udhëtojmë në Serbi. Me tupan nuk do të shkojmë drejt Serbisë”, ka thënë Sylejmani të dielën për KOHËN.
Në fakt, janë atletët e rinj të Kosovës që muajin e kaluar u paraqitën në Kampionatin Ballkanik U20 në palestër, po në Beograd. Në Serbi kanë marrë pjesë me shkurtesën KOS të shkruar në gjoks.
Deri para një muaji sportistët e Kosovës nuk janë lejuar të garojnë në ngjarjet ndërkombëtare të mbajtura në Serbi. Kanë qenë karateistët e së fundi edhe boksierët që janë penguar të futen në Serbi. Por atletët e rinj muajin e shkuar thyen një barrierë të madhe.
Pas diskriminimit ndaj boksierëve, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) lëshoi një kërcënim ndaj Serbisë. IOC-ja kërcënoi Serbinë dhe vendet e tjera me qëndrim diskriminues ndaj sportistëve nga vende të caktuara, se nuk do të lejojë zhvillimin e ngjarjeve ndërkombëtare në ato vende.
Ballkaniku U20 ishte një lloj testimi për pjesëmarrjen e Kosovës në Botërorin e Atletikës në palestër, që nis të premten dhe përfundon të dielën.
Bakraqi vlerësohet atletja më në formë aktualisht. Atletja nga Peja ka thyer së fundi disa rekorde shtetërore. Ajo pret që në Serbi ta thyejë edhe një rekord tjetër shtetëror.
“Synimet e mia kanë qenë të jem medaliste ballkanike, pjesëmarrëse në evropiane dhe botërore. Me disponim jam shumë mirë. Ta përfaqësoj shtetin në Botëror është suksesi më i madh i një sportisti. Në fakt, jam e para femër seniore që do ta kem rastin ta përfaqësoj shtetin në Botëror, sepse gjithnjë në të kaluarën e kanë përfaqësuar meshkujt. Një lejohet nga shteti dhe ka qenë një betejë e fortë dhe mund i madh që unë të marr pjesë në Botërorin në Beograd. Pres të kthehem me rekord shtetëror. Do ta jap maksimumin”, ka thënë Bakraqi të dielën për KOHËN.
Në fakt, pjesëmarrja e atletes kosovare është me ftesë. Për Botëror ka normë, por që nuk e kanë atletët kosovarë. Dhe në mungesë të normës ka ardhur ftesa. Mbetet të shihet nëse Kosovës do t’i lejohet pjesëmarrja në Botërorin në Beograd.
Përgjegjësit nga Federata e Atletikës e Serbisë kanë shmangur pyetjet për pjesëmarrjen eventuale të Kosovës.