Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bakraqi e lumtur që përfaqësoi Kosovën në Beograd

Atletja Gresa Bakraqi është ndarë e lumtur që e ka përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Botëror të atletikës që nisi të premten në Beograd, dhe përfundon të dielën.

Bakraqi nuk ka arritur të kualifikohet në finale të garës së vrapimit në 1500 metra. Ajo vrapoi të premten dhe doli e fundit në baterinë e dytë.

Bakraqi ishte e gjashta me kohë 4 minuta e 28.40 sekonda në baterinë e dytë. Ndërsa, në renditjen finale, atletja nga Kosova ishte e 17-ta prej 19-të atletëve sa morën pjesë në këtë disiplinë.

Bakraqi pas garës, për KOHËN ka thënë se është shumë e kënaqur që ka përfaqësuar Kosovën në këtë ngjarje të mbajtur në Beograd.

Bakraqi nuk ka pasur telashe në këtë ngjarje, pasi ka vrapuar me fanellën e Kosovës. Zyrtarë të Federatës Atletike të Kosovës, kanë thënë se nuk ka pasur asnjë flamur të asnjë shteti pjesëmarrës. Është thënë po ashtu se gjatë transmetimit direkt në kanalin në youtube, e ka paraqitur atleten kosovare me mbishkrimin “KOS” por pa flamur.

“Ndihem shumë mirë dhe tejet krenare që e kam përfaqësuar Kosovën në kampionatin Botëror që po mbahet në Beograd”, ka thënë Bakraqi për KOHËN.