Kosova do të paraqitet me një garues në Kampionatin Botëror të atletikës.
Botërori i atletikës mbahet në Tokio të Japonisë, ndërsa Kosovën do ta përfaqësojë atletja Gresa Bakraçi. Në Botëror marrin pjesë mbi 2.200 atletë nga rreth 200 shtete.
Atletja Bakraçi do të marrë pjesë në disiplinën 1.500 metra. Ne shtegun e atletikës ajo do të paraqitet të shtunën, në ditën e parë të Botërorit. Përfundon më 21 shtator.
Gresa paraqitet në Botëror falë ftesës nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës.
“Gresa do të paraqitet me ftesë. E kemi të rezervuar vendin dhe ftesa i është bërë Gresës. Ajo mund ta thyejë rekordin tonë shtetëror në Tokio. Është përgatitur jashtë vendit. Ka qenë pjesëmarrëse në kampe të ndryshme. Ka pasur së fundmi rezultate të mira dhe urojmë të na përfaqësojë denjësisht. Presim të kalojë në gjysmëfinale. Nëse kalon këtë pengesë, Gresa paraqitet pastaj në gjysmëfinale që do të ishte arritje e madhe”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës Atletike të Kosovës, Abdurrahman Shkodra.
Por ai pranon se gresa në Tokio do të përballet me konkurrencë të madhe.
“Ajo është në grupin e katërt, grupin e fundit të atleteve në kategorinë e saj. Konkurrenca është e fortë”, ka theksuar Abdurrahmani.
Në disiplinën 1.500 metra ku do të paraqitet Bakraçi janë 58 garuese. Gresa është në grupin e katërt.
Grupi në të cilën do të paraqitet Gresa janë 15 atlete. Rrjedhimisht Gresa hyn në grupin e garueseve jofavorite. Por në Federatën Atletike të Kosovës presin nga Gresa ta thyejë rekordin shtetëror.
Rekordin personal të evidentuar e ka 4:17.57 minuta të arritur më 9 gusht.
“Ajo pretendon të arrijë 4:12”, ka thënë Abdurrahmani.
Ajo në 3000 metra ka rekordin personal të evidentuar 9:17.80, kurse në 5000 metra 16:50.24.
Bakraçi u paraqit me ftesë të universalitetit edhe në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Kishte vrapuar në 800 metra, që nuk është disiplina e preferuar e saj. Në fund rezultati i atletes kosovare ishte 2 minuta, 13 sekonda e 29 të qindtat. Nuk i ishte afruar rekordit personal. Rekordin personal të evidentuar në 800 metra e ka 2:07.67 minuta.