Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Serbët e pranojnë se presioni i IOC-së bëri që Kosova të paraqitet në dy ngjarjet në Beograd

Drejtuesit e Federatës së Atletikës së Serbisë kanë pranuar se presioni i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ishte i madh që sportistët e Kosovës të lejohen të marrin pjesë në ngjarjet ndërkombëtare që u mbajtën në Serbi. Për herë të parë sportistët nga Kosova janë paraqitur në ngjarjet ndërkombëtare në Serbi. Bëhet fjalë për Kampionatin Ballkanik U20 në palestër, të mbajtur në Beograd në muajin shkurt dhe Botërorin në palestër, të mbajtur në mars po në Beograd.

Federata serbe është munduar ta mbajë sa më larg opinionit pjesëmarrjen e Kosovës, por paraqitja megjithatë kishte bërë bujë.

Kjo do të ishte e pamundur pa kërcënimin direkt të IOC-së, përkatësisht presidentit Thomas Bach.

“Jemi përballur me presione serioze për sportin tonë. Komiteti Olimpik i Serbisë në janar u paralajmëruar nga presidenti i IOC-së, Bach, që nëse ua ndalojmë sportistëve nga e ashtuquajtura Kosova pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare të organizuara nga Serbia, ekziston mundësia që i tërë sporti serb të përballet me sanksione serioze. Dy garat e ardhshme ndërkombëtare pas atij paralajmërimi ishin Kampionati Ballkanik dhe Botërori në atletikë. Kështu që erdhëm në situatë që shtizat të thyhen përmes atletikës. Nëse i lejon, ti je tradhtar, nëse nuk i lejon, përgjigjesh për fatin e sportit serb. Komiteti Olimpik i Serbisë mund të flasë më shumë për rrezikun potencial që vjen nga IOC-ja”, ka thënë Veselin Jevresimoviq, president i Federatës së Atletikës së Serbisë. Ai ka folur për gazetën beogradase, Telegraf.

Për këtë temë në fakt ditë më parë foli edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Edhe Vuçiqi ka folur për presionet e mëdha ndaj Serbisë dhe për suspendimin e mundshëm nga garat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Lojërat Olimpike.

Edhe Prezantimi i (pa)barabartë i Kosovës në Botërorin e Beogradit Sport Prezantimi i (pa)barabartë i Kosovës në Botërorin e Beogradit

I pari i atletikës serbe ka thënë se institucioni që drejton nuk ka mundur dhe nuk ka pasur legjitimitet që të lejojë apo të ndalojë pjesëmarrjen e Kosovës në dy ngjarjet ndërkombëtare, pasi ato janë organizuar nga Federata Ballkanike dhe ajo Botërore.

“Si nikoqir, kemi kërkuar nga këto dy organizata që atletët e të ashtuquajturës Kosovë të paraqiten duke respektuar ligjet e Republikës së Serbisë dhe duke respektuar simbolet e Republikës së Serbisë, që nga ana e organizatorit është respektuar. Federatat sportive është dashur me kohë të paralajmërojë opinionin se çfarë rreziku e kërcënon sportin tonë. Tifozët nuk e kanë ditur të gjithë tregimin, ku ka pasur kërcënim për suspendim të gjithë sportit serb, duke përfshirë futbollin dhe po ashtu pjesëmarrjen e Serbisë në Botërorin në Katar”, ka shtuar Jevrosimoviq.

Derisa në Ballkanik pjesëmarrja e Kosovës ishte e barabartë me vendet e tjera, në Botëror ka pasur shenja të diskriminimit, sa i takon prezantimit. Në Botëror garoi Gresa Bakraqi, që u paraqit në kualifikimet e vrapimit në 1500 metra. Paraqitja e saj zgjati pak minuta, por Bakraqi nuk u prezantua si të gjithë sportistet e tjera.

Në sajtin zyrtar të World Athletics, te emrat e atletëve, pas shkurtesës së shtetit, është paraqitur flamuri i shtetit përkatës. Por për Bakraqin është paraqitur vetëm shkurtesa KOS e jo edhe flamuri i Kosovës. Për më tepër, flamuri i Kosovës në fanellën e atletes kosovare ishte i mbuluar me një fashë të zezë. Ndërsa në pjesën e përparme të fanellës së Bakraqit shkruante KOS. Shkurtesa KOS në fakt ishte gjysmë e mbuluar nga shtojca në fanellë që ishte e organizatorit të ngjarjes.

Tek atletet e tjera që kanë vrapuar përkrah Bakraqit, në grupin e dytë të kualifikimeve në vrapim 1500 metra nuk është parë emri i shteteve prej nga vijnë. Por në pjesën e parme të fanellës është paraqitur flamuri i shtetit prej nga vijnë. Vetëm flamuri i Kosovës në fanellën e Bakraqit ishte i mbuluar me të zezë.

Shumica e atletëve në Botëror në gjoks e kishin të shkruar emrin prej nga vijnë dhe jo shkurtesën si në rastin e Kosovës. Prezantimi i Kosovës me KOS ishte kompromis, kanë pranuar nga World Athletics (Federata Botërore e Atletikës).

Edhe në ekranin e madh të sallës së madhe, ku u mbajt Botërori, janë paraqitur flamujt e shteteve. Por jo edhe ai i Kosovës kur u mbajt gara e grupit të dytë kualifikues në vrapimin 1500 metra. Ishin flamujt e shteteve të tjera, por jo edhe i Kosovës.

Edhe Botërori i atletikës në Serbi: Nuk shfaqet flamuri i Kosovës Sport Botërori i atletikës në Serbi: Nuk shfaqet flamuri i Kosovës

“Të gjithë janë të vetëdijshëm për situatën politike në këtë regjion”, kishin thënë nga World Athletics për “insidethegames”. “World Athletics, Komiteti Organizativ i Beogradi 2022 dhe Federata e Atletikës së Kosovës kanë punuar së bashku për të siguruar që atletja nga Kosova mund të garojë pa tension. Kjo ka përfshirë pajtimin e të gjitha palëve që atletja të prezantohet me kod të vendit në World Athletics, KOS”, kanë shtuar nga World Athletics.

Dy ngjarjet e mbajtura në Beograd megjithatë janë hap i madh para sa i takon prezantimit të Kosovës në garat që mbahen në Serbi, por edhe në vende të tjera me qëndrim diskriminues. Dhe ky hap është rikonfirmuar se do të ishte i pamundur pa presionin e gjermanit Thomas Bach.