Prishtinë, 3 janar – Pasi nga Federata Botërore e Atletikës (World Athletics) janë deklaruar se nuk presin probleme për pjesëmarrjen e Kosovës në Kampionatin Botëror që mbahet në Beograd, në Federatën e Atletikës së Kosovës është rritur optimizmi se do të thyejnë barrierën e madhe. Deri më tani sportistët nga Kosova nuk janë lejuar të garojnë në ngjarjet madhore të mbajtura në territorin e Serbisë. Janë disa raste kur sportistët kosovarë nuk janë lejuar të hyjnë në Serbi për të garuar në ngjarje ndërkombëtare.
Për diskriminimin ndaj sportistëve kosovarë së fundi më fuqishëm ka reaguar Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) që ka kërcënuar Serbinë me marrjen e së drejtës për organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive. Nëse IOC do t’i qëndrojë kërcënimit ndaj Serbisë do të mësohet menjëherë në mars, kur në Beograd mbahet Kampionati Botëror i atletikës në palestër. Botërori në palestër mbahet prej 18 deri më 20 mars në kryeqendrën e Serbisë.
Ishte sajti “insidethegames” që pyeti në Federatën Botërore të Atletikës nëse presin probleme për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë ngjarje. Dhe përgjigjja e World Athletics ishte e prerë.
“Është një kusht i organizimit të garës (pjesëmarrja e të gjitha delegacioneve që shprehin interesim v.j.), kështu që nuk parashikojmë ndonjë problem”, ka thënë një zëdhënës i Federatës Botërore të Atletikës.
Deri më tani Federata e Atletikës e Kosovës nuk është paraqitur për të garuar në ngjarjet e mbajtura në Serbi, ndonëse kishte presion të brendshëm për të bërë këtë. Por me ndërhyrjen e IOC-së dhe World Athletics, situata ka ndryshuar edhe për Federatën kosovare. Paraqitja për të garuar tashmë është obligim.
“Ka kohë që jemi duke biseduar për këtë çështje, me federatën ballkanike, evropiane e botërore”, ka thënë Halil Sylejmani, kryetar i Federatës së Atletikës së Kosovës. Ai thotë se çështjen e pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare që mbahen në Serbi e ka hapur në një Kongres të Federatës Ballkanike të mbajtur javë më parë në Serbi.
“U thashë që jemi anëtarë të barabartë në federatën botërore dhe se duam të marrim pjesë edhe në ngjarjet që mbahen në Serbi, në të kundërtën do të kërkojmë që Serbisë t’i hiqet e drejta e organizimit. Ne presim dhe jemi të bindur që do të garojmë në Botërorin që mbahet në Beograd, por edhe në një kampionat ballkanik U20, që po ashtu mbahet në Beograd muajin tjetër”, ka shtuar Sylejmani.
Ndonëse ai nuk është shumë i qartë për paraqitjen në Botëror, nga Federata e Atletikës e Kosovës thonë se është bërë paraqitja preliminare për një atlet. Se cili do të jetë ai do të vendoset më vonë.
Pjesëmarrja në Botëror bëhet me normë të fituar. Kosova nuk ka ndonjë normë. Por Kosova e ka të drejtën të marrë pjesë me një vrapues apo vrapuese, përjashto disiplinën 800 metra. Këtë të drejtë ka gjasë ta shfrytëzojë, nëse nuk paraqiten komplikime të natyrës politike.
Kampionati Ballkanik U20 në palestër mbahet më 12 shkurt në Beograd. Pritet të jetë një lloj testimi për pjesëmarrjen e Kosovës në Botëror.
Në Beograd edhe vitin e kaluar, por edhe vitet e mëhershme janë mbajtur kampionate ballkanike e madje edhe evropiane. Por Kosova nuk ishte paraqitur për të marrë pjesë në to. Kjo ishte e gabuar, vlerëson Zijadin Kryeziu, trajner i klubit Rogana, njërit prej më të mirëve në vend.
“Së paku tentimin e kanë bërë karateja, boksi e hendbolli, por jo edhe Federata Atletike, për këtë jam më se i sigurt. Nga kjo kemi pësuar më së shumti ne, pasi ishim të vetmit me garues seniorë. Nga këto mospjesëmarrje janë humbur medalje. Nuk ishim në Kampionatin Evropian të mbajtur në Beograd, ndërsa drejtuesit e Federatës ishin. Por tani bëhet fjalë për një njeri të fuqishëm që drejton World Athletics, lordi Sebastian Coe, ndoshta njeriu më i fuqishëm nga sportet olimpike. Ai mund ta bëjë këtë dhe nëse dikush mund ta ndëshkojë Serbinë, është Sebastian Coe”, ka theksuar Kryeziu.
Vjet boksierët kosovarë nuk u lejuan të hynin në territorin e Serbisë për të garuar në Botëror. Më herët fatin e njëjtë e kishin karateistët, ndërsa hendbollistet e reja ishin vendosur afër Beogradit dhe mbesin të vetmet që duke përfaqësuar Kosovën kanë ushtruar në Serbi. Por as ato nuk ishin lejuar të luanin me vendim të Qeverisë së Serbisë.
Këtë vit ngjarje madhore në Serbi mban edhe mundja. Në të vërtetë edhe një pjesë e federatave sportive kosovare nuk është që me shumë vullnet paraqiten për ngjarjet në Serbi. Por kur çështja fiton në publicitet, si tani me atletikën, atëherë në një mënyrë detyrohen të kryejnë punën e tyre – të paraqiten për garë.