Atdhe Nuhiu është rikthyer në Bundesligën e Austrisë pas tetë vjetësh. Shtatlarti kosovar është prezantuar sot tek Altachu, më të cilin klub ka nënshkruar kontratë dy-vjeçare.
“Pas bisedave që kisha me Damir Canadin dhe Werner Grabherrin ku mu prezantua projekti, vendosa shpejt. Projekti i Altachut është emocionues dhe unë doja të vija këtu. Pas një viti jo të lehtë në Qipro, unë dua të kthehem në nivelin tim të lartë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ta ndihmoj ekipin për të arritur synimet”, ka thënë Nuhiu për faqen zyrtare të klubit.
Nuhiu që u pensionua nga përfaqësuesja e Kosovës, së fundi ishte pjesë e skuadrës së Apoelit në Qipro ku shënoi vetëm një gol dhe bëri një asistim në 26 ndeshje.
Tek ekipi qipriot nuk ia doli të zë vend në përbërjen e parë. Sulmuesi kosovar ka qenë pjesë e Rapid Vjenës, prej nga u transferua në Angli të Sheffield Wednesday në vitin 2013.