Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nuhiu vazhdon kontratën dhe bëhet gati për karrierën si trajner

(KD) – Atdhe Nuhiu ka nënshkruar kontratë të re, të vlefshme deri në vitin 2025 me skuadrën elitare të Austrisë, Altach. Dhe pas përfundimit të karrierës si futbollist, Nuhiu do të vazhdojë të qëndrojë tek Altachu duke u integruar në stafin e trajnerëve. Kështu ka njoftuar Altachu në faqen zyrtare, të mërkurën.

“Nuhiu filloi shkollimin si trajner gjatë kohës që ishte në Angli dhe aktualisht ka licencën A të UEFA-s”, shkruan sajti i klubit austriak.

Ish-sulmuesi i Kosovës e vlerëson mundësinë që ia ka dhënë klubi, por thotë se nuk mendon njëherë për detyrën që do ta marrë pas përfundimit të karrierës. Ai thotë se ka ende për të dhënë në fushën e lojës.

“Altachu dhe fansat më janë futur shumë në zemrën time gjatë dy vjetëve e gjysmë, pavarësisht nga të gjitha uljet dhe ngritjet që kemi përjetuar së bashku. E shoh si një vlerësim të madh që klubi po ma mundëson ta filloj karrierën si trajner pas përfundimit të karrierës aktive. Për mua fokusi tani është tërësisht në rolin si lojtar, në të cilin dua ta jap kontributin tim për të siguruar që të jemi të suksesshëm”, ka thënë Nuhiu për faqen zyrtare të klubit të Bundesligës austriake.

34-vjeçari Nuhiu pjesë e Altachut është prej korrikut të vitit 2021. Ai u transferua nga APOEL Nikosia, ndërsa karrierë më herët ka bërë edhe te Sheffield Wednesday. Ka luajtur edhe për Rapidin e Vjenës, Eskishehirsporin, Riedin, Austria Karntenin dhe Welsin.

Në edicionin aktual ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me dy asistime në 17 ndeshje.

Edhe Atdhe Nuhiu ndihet krenar që do të jetë sërish pjesë e Kosovës Futboll Atdhe Nuhiu ndihet krenar që do të jetë sërish pjesë e Kosovës

“Me përvojën e tij, Atdheu është pjesë e rëndësishme e skuadrës sonë, sepse ai merr përgjegjësi si në fushë ashtu edhe në dhomën e zhveshjes. Ai gjithashtu identifikohet shumë me klubin dhe ka fituar një reputacion mes tifozëve dhe atyre që e rrethojnë. Jemi shumë të kënaqur që rrugëtimi së bashku do të vazhdojë dhe që Atdheu do të qëndrojë me ne edhe përtej karrierës se tij aktive”, ka thënë drejtori sportiv i Altachut, Roland Kirchler.

Nuhiu u pensionua në vitin 2021 nga Përfaqësuesja e Kosovës. Federata e Futbollit e Kosovës i kishte premtuar angazhim në stafin e Përfaqësueses. Për Kosovën sulmuesi shtatlartë ka shënuar tri gola në 19 paraqitje. Para se të luante për Kosovën, Nuhiu luajti për grupmoshat e reja të Austrisë.