Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Anglia siguron gjysmëfinalen me Australinë

Anglia do të luajë në gjysmëfinale të Botërorit për futbolliste. Futbollistet angleze të shtunën e mposhtën Kolumbinë në çerekfinale të turneut që po zhvillohet në Zelandën e Re dhe në Australi. Anglia fitoi me rezultatin 2:1, dhe mbetet një prej favoriteve për ta fituar Kupën e Botës. Kolumbianet kaluan në epërsi në minutën e 44-t me golin e shënuar nga mesfushorja Leicy Maria Santos Herrera.

Por në minutën e shtatë të shtesës në pjesën e parë, sulmuesja e Cityt, Lauren Hemp, i barazoi shifrat në 1:1. Në pjesën e dytë, Anglia kaloi në epërsi me golin e Alessia Russos në minutën e 63-të dhe në fund iu gëzua fitores. Ndeshja u zhvillua në “Olympic Stadium” në Sydney të Australisë.

Të pranishëm ishin rreth 76 mijë shikues. Gjysmëfinalja Australia – Anglia zhvillohet më 16 gusht. Anglia është në gjysmëfinale për herë të tretë rresht në Botëror. Ishte mposhtur në vitin 2019 nga SHBA-ja dhe nga Japonia në vitin 2015.