Sport

Akuza të rënda në drejtim të arbitrave në hapje të edicionit pranveror

Me ndeshjet e 1/8 së finales të Kupës së Kosovës ka nisur edicioni pranveror në futbollin e Kosovës. Nga ndeshjet e luajtura të shtunën dhe të dielën janë përcaktuar emrat e shtatë ekipeve që janë kualifikuar në çerekfinale, kurse skuadra e tetë do të mësohet të hënën.

Prishtina e ka mposhtur Drenicën 2:1 pas vazhdimeve, për të siguruar një vend në mesin e tetë ekipeve më të mira. Tutje ka kaluar edhe Ballkani, që ka fituar ndaj Malishevës (1:0) me golin e Albion Rrahmanit. Fitore të thellë për kualifikim në çerekfinale ka shënuar Drita, e cila e ka mposhtur si mysafire Fushë-Kosovën, 5:0.

Ulpiana e ka fituar përballjen me rivalin lokal, Arbërinë, 2:1 pas vazhdimeve. Edhe Onixi është kualifikuar në çerekfinale pasi ka mposhtur KEK-un pas penaltive, 5:4. Derbin e ekipeve kryeqytetase të Ligës së Parë e ka fituar Ramiz Sadiku, që e ka deklasuar 2 Korrikun, 6:1. Gjilani ka fituar me mund kundër Dukagjinit me shifrat 2:1. Skuadra e fundit që do të kalojë në çerekfinale do të mësohet të hënën, kur Ferizaj e pret Llapin, ekip që e ka fituar Kupën në vitin e kaluar. Në asnjë ndeshje të 1/8 së finales nuk është përdorur sistemi VAR.

Ka pasur akuza të mëdha në drejtim të arbitrave, sidomos pas dy ndeshjeve kryesore.

Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, ekipi i të cilit u eliminua nga Prishtina, ka deklaruar se nuk po arrin të kuptojë se si ekipi i tij po dëmtohet qëllimisht.

Lushtaku, që u ndëshkua me karton të kuq në duelin e së dielës pas protestave në drejtim të gjyqtarit kryesor, Mervan Bejtullahu, mendon se gjyqtarët janë duke i vendosur ndeshjet.

“Mund të analizoj disa situata, në disa mënyra kemi bërë paraqitje shumë të mirë. Për 90 minuta kemi qenë shumë më të mirë dhe shumë më të rrezikshëm se Prishtina, por faktorët e tjerë po ndikojnë në rezultatin përfundimtar. Kjo është hera e dytë që ndodh, është e pafalshme. Akterët kryesorë të ndeshjes kanë qenë gjyqtarët, pasi ne kemi zhvilluar një ndeshje fantastike duke krijuar shumë raste. Ka pasur shumë gabime sa i përket pjesës së referimit. Jemi fitues moral, por kjo do të mbetet në ndërgjegjen e të tjerëve. Është e papranueshme që të luhet me djersën e lojtarëve”, tha Lushtaku.

Ndarjen e drejtësisë nga gjyqtari Mervan Bejtullahu, Lushtaku e krahasoi me atë të Gramoz Shalës, që sipas tij e kishte dëmtuar Drenicën ndaj Prishtinës në kampionat.

“Një Gramoz Shala ishte në ndeshjen tjetër, tani një Gramoz Shala ishte këtu. Nuk e kuptoj se pse duhet të jepen tetë minuta lojë shtesë. Nuk di se çka ndodhi që të jenë tetë minuta. Ose unë nuk kuptoj, ose diçka ka këtu”, përfundoi Lushtaku.

Akuza edhe më të rënda ka pasur kryetari i klubit të Dukagjinit, Fabian Veseli. Ekipi nga Klina u eliminua nga Kupa pas humbjes nga Gjilani, të shtunën me rezultatin 2:1.

Veseli e ka akuzuar direkt gjyqtarin e ndeshjes, Dardan Çaka, si dhe ka shkruar se është e dyshimtë edhe ndërprerja e transmetimit të ndeshjes për disa minuta.

“Nga minuta e 72-të e ndeshjes si për ‘rastësi’ është ndërprerë transmetimi. Në dhjetë minutat e fundit ndryshoi gjithçka, sepse ishte e qartë se nga loja nuk realizohej dot skenari . Nuk është çudi, ky gjyqtar është mësuar që me 10 minuta të kryejë punë, edhe atëherë kur u zgjodh më i miri. Madje as sot nuk iu deshën më shumë minuta për të kthyer borxhin për shpërblimin paraprak”, ka shkruar Veseli. “Dukagjini hesht, por nuk harron. Nuk e ka harruar as finalen e Kupës vitin e kaluar e as dëmtimet e njëpasnjëshme në kampionat. Por mbajeni në mend, kur të fletë Dukagjini nuk mundeni ta përballoni tërmetin”, shkruan në fund të deklaratës së Fabian Veselit.

Ka kohë që arbitrat dhe drejtuesit e shoqatës nuk përgjigjen në akuzat e klubeve.