Glasgow, 11 shkurt (Sky Sports) - Sulmuesi i Celticut, Albian Ajeti, këmbëngul se nuk simulon asnjëherë gjatë ndeshjeve, pasi u lirua nga një akuzë simulimi në fillim të kësaj jave. Reprezentuesi i Zvicrës u akuzua për penalltinë që e nxori në fitoren e Celticut 4:0 kundër Kilmarnockut javën e shkuar dhe përballej me një suspendim prej dy ndeshjeve nëse do të shpallej fajtor. Ajeti u rrëzua brenda zonës së penalltisë në fillim të pjesëlojës së dytë kur portieri i Kilmarnockut, Colin Doyle, doli për ta sfiduar atë. Trajneri i Celticut, Neil Lennon e mbrojti me forcë lojtarin e tij në mes të debatit mbi incidentin dhe akuza e simulimit nuk pati prova gjatë një seance disiplinore të martën.
Ajeti 23-vjeçar kishte mbetur i befasuar kur u akuza për simulim dhe komisioni disiplinor mund të suspendonte për dy ndeshje nëse shpallej fajtor. Në një konferencë për shtyp të mbajtur të enjten nëpërmjet aplikacionit “Zoom”, ai hodhi poshtë çdo sugjerim se është një lojtar që simulon.
“Ka shumë gjëra që futbollistët dëgjojnë dhe nuk janë aspak të vërteta. Por kjo është pjesë e futbollit, pjesë e profesionit tonë. Ne duhet ta pranojmë atë”, tha Ajeti duke iu kundërpërgjigjur akuzave për simulim. “Mund të më quajnë si të duan, por në realitet unë e di se çfarë ndodh në fushë. Nëse duan të më quajnë kështu, ata mund të më quajnë, por nuk është e vërtetë. Njerëzit që e njohin lojën time, e dinë që më pëlqen kontakti i trupit. Unë jam një lojtar mjaft agresiv, kështu që nuk mendoj se jam simulues, sepse më pëlqen kontakti me trupin. Nuk dija për procesin e akuzave dhe si funksionon, por tani e di. Unë jam i lumtur që ata morën vendimin e duhur dhe gëzohem që nuk mora ndonjë ndalim për këtë akuzë të pabazë”.
Fitorja bindëse e Celticut 4:0 në St. Mirren regjistroi triumfin e tretë rresht, për herë të parë këtë vit për ekipin e trajnerit Lennon, i cili ka 18 pikë më pak se Rangersi që është lider. Ajeti, i cili po luan me Odsonne Edouardin në tri ndeshjet e fundit, këmbëngul se fryma e re e ekipit ka mbështetur rikthimin e formës së ekipit.
“Gjërat po shkojnë mirë për ne, pasi po fitojmë dhe po luajmë futboll të mirë. Unë jam i lumtur kur luaj dhe shënoj gola, por më shumë i gëzohem suksesit të ekipit, pasi kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Ne jemi në formë të mirë tani dhe duhet të ecim përpara”, tha Ajeti.
Ajeti në fillim të këtij edicioni iu bashkua Celticut nga skuadra e West Ham Unitedit dhe me ekipin skocez ka kontratë deri në vitin 2024. Këtë sezon Ajeti ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar tri herë në 18 paraqitje në kampionatin e Skocisë.