Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ajeti po shijon kohën te Celticu, pas debutimit me gol

Sulmuesi kosovar, Albian Ajeti ka thënë se po shijon çdo minutë te Celticu, pasi ka shënuar golin e fitores në ndeshjen ndaj Dundee United, të shtunën. Reprezentuesi i Zvicrës u aktivizua si zëvendësues dhe shënoi golin e fitores në takimin e xhiros së pestë të kampionatit të Skocisë. Për Ajetin ishte debutim për Celticun.

“Jam shumë i lumtur. Mbi të gjitha ishte fitore e rëndësishme për ne. Nuk ishte lehtë. Dundee United e bëri shumë të vështirë dhe bëri çdo gjë të mundur për të na mposhtur. Ne kemi pasur raste kështu që ishte çështje kohe se kur do të shënonim golin e parë. Të gjithë ishin shumë të lumtur dhe më kanë uruar. Ne kemi marrë tri pikë dhe kjo është më e rëndësishmja”, ka thënë Ajeti për faqen zyrtare të Celticut.

Ajeti (23) është transferuar nga West Ham Unitedi, ku nuk kishte pasur sukses. Të shtunën ai u aktivizua në minutën e 73-të për kampionin skocez, ndërsa golin e fitores 1:0 e shënoi në minutën e 83-të.

“Kam qenë shumë i motivuar. Nuk ishte lehtë për mua vitin e kaluar, kështu që çmoj secilën minutë që e luaj. Gjithnjë mundohem të ndihmojë ekipin dhe jam i lumtur që kam qenë në gjendje të bëjë këtë. Unë mendoj se nëse je i lumtur, gjithnjë do të jetë i suksesshëm. Nuk është mirë të vësh veten në presion. Duhet të shijosh gjërat aty ku je dhe unë vërtetë po e shijoj kohën te Celticu”, ka shtuar ai.