Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

15-vjeçari Camarda përfshihet në ekipin e Milanit me leje speciale

camarda

Problemet e skuadrës së Milanit me lëndimet e sulmuesve kanë hapur derën për adoleshentin Francesco Camarda, i cili u thirr në ekip për t'u përballur me Fiorentinën dhe 15-vjeçari ka talentin e duhur për ta përballuar një hap të tillë, tha të premten trajneri Stefano Pioli. Portugezi Rafael Leao u zëvendësua shkaku i dëmtimit në kofshë në fillim të ndeshjes së fundit të Milanit ndaj Lecces dhe ende nuk është rikuperuar. Ndërkohë, zëvendësuesi i tij në atë ndeshje, Noah Okafor, pësoi një dëmtim në kofshë derisa ishte në grumbullim me Përfaqësuesen e Zvicrës. Sulmuesi i Francës, Olivier Giroud është pezulluar për ndeshjen kampionale me Fiorentinën pas kartonit të kuq në barazimin 2:2 me Leccen, duke e lënë Piolin me pak opsione në sulm dhe i riu Camarda është tërhequr nga ekipi i të rinjve.

“Talenti nuk ka moshë dhe Camarda ka shumë talent”, tha Pioli. “Fati ndonjëherë krijon mundësi për ty, do të duhet të jemi të mirë për ta shoqëruar në rritjen e tij, sepse po flasim për një djalë shumë të ri”.

Nëse Camarda paraqitet kundër Fiorentinës, ai do të bëhet lojtari më i ri që ka luajtur ndonjëherë në Serie A, me 15 vjeç, tetë muaj dhe 15 ditë. Rekordin aktual e mban Wisdom Amey, i cili luajti për Bolognan në vitin 2021 në moshën 15 vjeç, nëntë muaj e një ditë. Duke qenë se ai është vetëm 15 vjeç, Milani duhej të kërkonte leje nga shoqata rajonale e futbollit të Lombardisë për paraqitjen e Camardas, të cilën ai përfundimisht e mori. Camarda ka shënuar shtatë gola në 13 paraqitje për ekipin e të rinjve të Milanit këtë edicion. Luka Joviq pritet të startojë si sulmues te Milani ndaj ish-ekipit të tij, por Pioli nuk ka dyshim se Camarda, i cili do të mbajë fanellën me numrin 73, do të jetë gati për të luajtur nëse i duhet.

“Nga pikëpamja e karakterit Camarda është shumë i pjekur, është gati të na japë një dorë nëse duhet, pasi në këto ditë ka bërë shumë mirë. Jam i sigurt se ai do të ketë një të ardhme të shkëlqyer”, ka paralajmëruar Pioli.

Sulmuesi Joviq, i huazuar nga Fiorentina, nuk ka shënuar ende për Milanin në shtatë paraqitjet e tij, por Pioli është i bindur se ai mund të plotësojë mungesën e Giroudit, Leaos dhe Okaforit.

“Unë flas me të çdo ditë, ai e di se çfarë pres prej tij dhe ai e di rolin e tij”, shtoi Pioli. “Tani ai e njeh mënyrën tonë të lojës. Ai ka gjithçka shumë të qartë për të dhënë kontributin e tij”.

Edhe Milani blindon me kontratë të re talentin Camarda Futboll Milani blindon me kontratë të re talentin Camarda

Kishte disa lajme të mira në frontin e lëndimeve për Milanin, pasi Pioli konfirmoi se Davide Calabria, Ruben Loftus-Cheek dhe Christian Pulishiq janë të gjithë në dispozicion për ndeshjen e së shtunës që luhet në stadiumin “San Siro”.

Milani është i treti në Serie A, tetë pikë prapa Interit që është lider. Ndërkohë, Fiorentina është trI pikë pas skuadrës së Piolit dhe zë vendin e gjashtë në tabelë.