SOT

Suhareka nis vjeljen e rrushit, çmimi për arkë nis nga 4 euro

“Viktoria”, “Hamburg” e lloje të tjera të rrushit, Maliq Hasani nga Reçani i Suharekës qe tre vjet i kultivon, i vjel e më pas i plason në tregun vendor.

Ai planifikon që sivjet nga toka e tij prej 8 hektarësh të përfitojë mbi 50 mijë kilogramë me rrush.    

Në mungesë të fuqisë punëtore, bujku ka marrë punëtorë sezonalë nga Shqipëria.

“Sivjet vreshtat  janë dëmtuar nga temperaturat e ulëta, por mirë, nuk janë keq. 3 hektarë pjeshka i ka dëmtuar më shumë. Përgjithësi mirë është duke shkuar, kem filluar edhe më vjeljen. Llogaritet deri në 10 mijë kilogramë rrush për një hektar, por pasi janë dëmtuar, po i llogarisnim deri në 7 mijë kilogramë rrush për një hektar. 8 hektarë me rrush i kam krejt dhe kam 7-8 lloje të rrushit. Vitin e kaluar kam marrë 60 mijë kilogramë rrush, sivjet llogarisim 5 mijë më pak të marrim rrush nga vreshtat e mia”, thotë Hasani.

Vreshtari një arkë me rrush e shet 4 euro, teksa në tregun vendor e njëjta sasi shitet deri në 6 euro.

“Tregun e kem krejt në Kosovë, shumica vijnë për të blerë në vreshta dhe më pas i shesin në pikat e tyre shitëse. Jashtë vendit nuk shesim rrush, nuk kemi mundësi me shitë jashtë vendit”, deklaron Hasani. 

Ai inkurajon të rinjtë që të merren me bujqësi, por thotë se edhe institucionet duhen të jenë dorë e zgjatur për bujqit. 

“Konsumoni rrush të vendit sepse është më i mirë, më kualitativ dhe njëkohësisht u ndihmoni edhe bujqve, të cilët merren me rrush. Edhe të rinjve u them që të mos e lënë vendin e tyre, por të kenë perspektivë edhe në vendin e tyre”, thekson Hasani. 

Bali Muharremaj, kryetar i Suharekës, ka thënë se si komunë e kanë ekonominë më të mirë krahasuar më të tjerat. 

Bujqësia dhe blegtoria thotë se luajnë një rol të veçantë për zhvillimin e ekonomik të vendit. 

“Suhareka dallohet për cilësi të rrushit, ka një kualitet të mirë. Kjo për shkak edhe të tokës cilësore dhe rrezeve të diellit. Rrushin e tryezës e kemi të mirë, por edhe lloje të verave që prodhohen këtu.

Prodhimtaria e Suharekës më shumë shkon jashtë vendit, por edhe në Kosovë. Suhareka është një komunë që dallohet nga komunat e tjera për nga zhvillimi ekonomik. Kohën e fundit është një numër qytetarët të cilët janë duke u kthyer nga Perëndimi, kjo për shkak të ngritjes së pagave. Mendoj se ka vende të lira të punës për të gjithë, kuptohet se të gjithë drejtorë nuk mund të bëhen, por për çdo sektor mund ta gjejnë veten”, thotë Muharremaj. 

Agim Shahini, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ngre zërin e bujqve për të drejtat e tyre, sa i përket prodhimtarisë vendore.

“Produktet e Kosovës gjenden në tavolinat e gjitha niveleve botërore, duke e përfshirë edhe Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Këshillin e Evropës dhe duke përfshirë edhe konsumatorët evropianë. Prandaj politikat shtetërore duhet të avancohen më shumë për të fuqizuar prodhuesit vendorë, ata kanë nevojë më shumë për mbështetje.  Shtrenjtimi i energjisë elektrike ka goditur rëndë prodhuesit vendorë, kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që janë shtrenjtuar prodhimet vendore. Shumë prej bizneseve janë goditur edhe me reduktimin e numrit të punëtoreve shkak i krizave ekonomike. Tregu në Kosovë është vështirësuar shumë. Kërkesat kryesore të bizneseve dhe prodhuesve vendorë janë se shteti të jetë më i vëmendshëm për prodhuesit vendorë, nëse nuk mund ta ndihmojnë të mos e pengojë”, thekson Shahini. 

Edhe bizneset e përmendin faktin që institucionet duhet ndihmuar prodhimet vendore. 

“Ndërmarrja “Agrokosova Holding” është ndërmarrje e cila nga viti 2008 ka filluar prodhimin e rrushit dhe të verës. Ndërsa si ndërmarrje është ndërtuar që nga viti 1953. Nëse kthehemi në histori Komuna e Suharekës kultivimin e rrushit e ka traditë qe 2 mijë vjet. Ne kemi impakt të rëndësishëm për kategoritë e mesme, sidomos të punëtorëve të cilët merren me kultivimin vjeljen e rrushit, e të cilët punojnë te ne.  Në aspektin ekonomik dhe kulturor e ka një rendësi shumë të madhe. Sasia e rrushit është më e vogël se vitet paraprake, shkak i ndryshimeve klimatike, por mirë qëndrojmë me cilësi të rrushit, kjo sipas analizave që ua kem bërë. Edhe nga ana e teknologjisë qëndrojmë mirë”, deklaron Aziz Tafaj nga “AgroKosova Holding”. 

Ne vjeljen e rrushit ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Shqipëria e Mali i Zi.

“Ne si shoqata e restoranteve dhe bujtinave shqiptare promovojmë vlerat si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë. Rroftë Shqipëria, rroftë Kosova”, tha Kujtim Dervishi, kryetar i Shoqatës së restoranteve dhe bujtinave shqiptare. 

Ndërsa ambasadori i Malit të Zi në Kosovë Bernard Çobaj, tha se po punojnë për thellim të bashkëpunimit në mes të dy vendeve. 

“Mali i zi është vend mik me Kosovën dhe do të mundohemi, që edhe të ardhmen ta fuqizojmë marrëdhëniet tona, si në sferën ekonomike dhe kulturore. Jam i gëzuar të jem sot këtu me ju”, tha ai.  
Komuna e Suharekës nga kultura bujqësore e rrushit e ka forcuar ekonominë e vendit dhe ka shtuar vende të punës, sidomos në sezonin e vjeljes. 

Gjithsej në Kosovë janë rreth 3 mijë hektarë të mbjella me rrush.