SOT

Fillon vjelja e mjedrës, fermerët presin 30 për qind më shumë rendiment sivjet

Me disa kuti në dorë punëtorët po bëjnë grumbullimin e mjedrave në plantacionin e fermerit Nehat Bajraktari.

Së bashku me përfaqësues institucionesh, fermer të shumta e ekspertë të bujqësisë, fermeri nga Radavci i Pejës shënoi zyrtarisht edhe fillimin e vjeljes së kësaj kulture në fermën e tij prej 1.6 hektarësh tokë.

E gjithë kjo në kuadër të “Ditës së Mjedrës” në Radavc, e cila u shënua me aktivitete të shumta.

Duke theksuar edhe sfidat e kultivimit të mjedrës, Bajraktari thotë se sivjet rendimenti pritet të jetë mjaft i lartë.

“Sfiduese është sepse ka momente kur duken se janë sfidat e papërballueshme por me përkrahjen e komunës dhe të shoqatës së mjedrave është e përballueshme.  Jemi në fazat fillestare dhe unë pres rendiment prej 5-7 tonë tash të shohim. Këtu i kam të instaluar sistemin e ujitjes vetëm në 20 ari. Të shoh edhe pjesët tjera se si po shkojnë”, tha Bajraktari. 

Fermeri thekson se edhe shitjen e kanë të garantuar.

“Komplet sipërfaqja është 1 hektarë e 60 ari. Këtë punë e kemi filluar në vitin 2015, rastësisht por e pash që është profitabile dhe kam vazhduar duke e shtuar. Me ndihmën e Cartiasit e kemi krijuar edhe pikën grumbulluese, pra shitja është e garantuar dhe popullatës çka i mbetet veç me pas vullnet për punë”, shtoi Bajraktari.

Por sa ja vlen të merresh me këtë kulturë? Bajraktari tregon përvojën e tij.

“Ja vlen ekstrem. Një familje me 50 ari mjedra mundet të ja dalë të bëj një jetë mesatare. Kam qenë në Gjermani dhe qysh në atë kohë i kam nda rrugët me gurbet. Kam punuar më parë me zdrukthëtari e atë punë nuk e bëj më sepse tashmë iu kam përkushtuar vetëm mjedrës dhe e bëj një jetë mesatare”, deklaroi Bajraktari.

Kujtim Lepaja nga shoqata “Mjedra e Kosovës” thotë se çmimi i shitjes së mjedrës është mjaft i mirë.

“Sot jemi në ditën e mjedrës i mbushur me plot aktivitete ku kemi për qëllim të promovimit dhe shpërndarjen e informatave sa më të shumë tek qytetarët që sjellë në shëndet dhe ekonomikisht. Sot jemi në Radavc ku mund të themi se sa ka filluar edhe seszona për kultivarët vjeshtorë ku fermerë janë duke grumbulluar mjedrën. Këtë vit kushtet janë shumë të mira, çmimi është i mirë 3.5 euro për kilogram mirëpo presim edhe rendiment të mirë”, tha Lepaja.

Ai pret që shitja e mjedrës në Kosovë sivjet të arrijë vlerën 15 milionë euro. 

“Ne presim rreth 30 për qind më shumë rendiment, çka ndodh tutje nuk e dimë por nëse vazhdojmë me këtë ritëm do të kemi 30 për qind më shumë rendiment. Mendoj që e gjithë shitja do të arrijë 15 milionë euro me gjithë shitje të brendshme dhe me eksport. Ky është një pilot projekt që e kemi instaluar në mënyrë që t’i evitojmë temperaturat e larta. Vjet kemi pasur rendiment më pak për shkak se nuk e kemi pasur këtë sistem. Tani me këtë pilot projekt forma e ujitjes në formë shiu ruan rendimentin dhe cilësinë”, deklaroi Lepaja.

Çdo ditë e më shumë, po shtohen fermer që po ngjallin interes për kultivimin e mjedrës.

“Mjedra në 2012 i kemi pasur 10 hektarë tani i kemi mbi një mijë hektarë. Kemi fermer që i qëndrojnë besnik kulturës së mjedrës sepse mjedra është kultura më fitimprurëse prandaj qëndrojnë dhe çdo vit shtohen fermer të rinj duke i parë informatat që i shpërndajmë fermerët tjerë benefitet për arsye se këta fermer kanë një tjetër standard jetësor nëse e krahasojmë me kulturat tjera bujqësore”, theksoi Lepaja.

“Java e Mjedrës” e cila shënohet në vende të ndryshme të Kosovës është shndërruar në një festë, ku përveç vjeljes, promovohet bashkëpunimi mes fermerëve dhe përkrahet zhvillimi rural.