Bujqësia është një ndër profesionet më të rëndësishme për sigurimin e ushqimit. Konsumimi i produkteve ushqimore që vijnë nga të mbjellat bujqësore është element shumë i rëndësishëm për të pasur një jetë të shëndetshme. Edhe pse në Kosovë dita-ditës kemi më pak njerëz që merren me këtë veprimtari, profesori Lush Krasniqi nga fshati Ramoc i Komunës së Gjakovës kujdeset që çdo ditë të mbjellë dhe të kultivojë pemë, perime dhe bimë të ndryshme. Për të mësuar më shumë rreth profesorit nga Gjakova e ndjekim materialin në vijim.
Është profesor i letërsisë.
Por kjo nuk ia shuan dëshirën për t’i punuar tokat e tij me shumë vullnet dhe përkushtim.
Krahas profesionit parësor, Lush Krasniqi nga fshati Ramoc i Komunës së Gjakovës çdo ditë merret me bujqësi dhe i kultivon të mbjellat e tij, të cilat i japin kënaqësi me të mirat dhe bukuritë që ato kanë.
Kodra e Hutit quhet vendi ku gjendet shtëpia e tij, e cila është e rrethuar nga tokat e mbjella me lloje të shumta të pemëve, perimeve dhe bimëve nga më të ndryshmet, të cilat i japin asaj një pamje të mrekullueshme për sytë e njeriut.
Edhe
Studentët e Bujqësisë praktikojnë krasitjen në pemishtet llapjane
Molla, dredhëza, fiq, mjedra, boronica, rrush të frëngut, mani i bardhë dhe i zi, kivit, domatet, trangujt, janë vetëm disa nga pemët dhe perimet që janë të mbjella në këto toka shumë pjellore, që janë në pronësi të bacës Lush.
Përveç jetës në fshat, dashuria për gjelbërimin dhe rëndësia e një jete të shëndetshme për njeriun kanë qenë faktorët kryesorë që e kanë shtyrë atë që të merret me këtë veprimtari.
Ai e fillon ditën shumë herët në mëngjes dhe e përfundon atë në mbrëmje, pasi t’i ketë kryer të gjitha punët që janë të nevojshme për kujdesin e të mbjellave të tij. Profesori Lush Krasniqi na rrëfen për rutinën e tij ditore.
Duke treguar për dashurinë e tij ndaj natyrës dhe ajrit të pastër, Krasniqi na njofton me disa nga frutat dhe bimët që ai i kultivon.
Gjithë ky merak i tij për natyrën është i trashëguar nga familja e cila, meqë ka jetuar në fshat, është marrë me bujqësi. Lushi jo vetëm që e ka vazhduar veprimtarinë e të parëve, por synon ta përcjellë atë edhe tek fëmijët e tij.
Shqetësues për të është fakti që rinia në Kosovë nuk po angazhohet shumë në mbjelljen e tokave të tyre, megjithatë, sipas tij, faji nuk është i tyre, por i sistemit shtetëror, i cili nuk është angazhuar që t’i inkurajojë të rinjtë që duan të merren me bujqësi nëpërmjet hapjes së drejtimeve agrare nëpër shkolla.
Edhe
Hertica e tokave pjellore e atraksioneve turistike
“Ushqimi i mirë është shëndeti i mirë” është fjalia që profesorin e motivon që të punojë fort me të mbjellat e tij, si dhe mungesa e ushqimit cilësor që vjen nga importi e shtyn atë që t’i punojë tokat e tij në një mënyrë sa më të shëndetshme.
Viteve të fundit në Kosovë, e sidomos tek të rinjtë, ka zbehje të interesimit për t’u marrë me veprimtari të ndryshme bujqësore, edhe pse Kosova është e pasur me toka pjellore nga ku mund të dalin ushqime shumë të shëndetshme. E profesori Lush Krasniqi është shembull se si duhet shfrytëzuar me pasion dhe vullnet këto të mira që vijnë nga natyra.