SOT

Fëmijët e çerdhes në Gjakovë mësojnë mbjelljen e fidanëve

Për herë të parë fëmijët e çerdhes “Ganimete Tërbeshi” kanë mësuar rreth mbjelljes së fidanëve dhe të mirat që mund të përfitojnë nga toka. E gjithë kjo është bërë për të kuptuar rëndësinë e të ushqyerit shëndetshëm. 

Me duart e tyre të vogla po i thyejnë lëvozhgat e vezëve.

Ky nuk është thjesht një aktivitet argëtues për këta fëmijë.

Këto lëvozhga fëmijët e çerdhes “Ganimete Tërbeshi” të Gjakovës, po i përdorin si pleh natyral për kopshtin të cilin e kanë mbjellë para pak ditëve vetë ata.

Tani kur bimët kanë mbirë, ata po vazhdojnë të kujdesën për rritjen sa më të mirë të tyre.
Krijimi i bahçes në oborrin e çerdhes është një projekt i cili nisi si mundësia më e mirë që fëmijët të mësojnë për rëndësinë e tokës dhe të mirat që sjell ajo për ushqyerjen sa më të shëndetshme.

Edukatorja Agnesa Xërxa, thotë se përmes këtij aktiviteti fëmijët tani kanë njohuri rreth procesit të mbjelljes së perimeve e deri të korrja e tyre.

“Iniciativa është nga bashkëpunëtorja jonë Delvina Dylazeka. Kur ka ndodhë mbjellja e kopshtit nga fëmijët ka qenë tej mase të befasuar sepse ka qenë risi për ta që s’e kanë bërë më parë këtë gjë. Të gjitha i kanë mbjellë me duart e tyre të vogla dhe ua kemi shpjeguar procesin prej farës e ujitjes, rritjes e deri te korrja e tyre. Mezi presin, çdo ditë pyesin se kur do t’i marrin perimet”, thekson Xërxa.

Edukatorja thotë se këto perime do të shërbehen për vetë fëmijët.

“Është risi se duhet të shohin të mirat e tokës që na sjellin e të largohen nga mjetet teknologjike. Aktivitete kemi çdo ditë por me kopsht është hera e parë dhe fëmijët e pritën shumë mirë. Do të shërbehet për fëmijët e kopshtit. Lëvozhgat e vezëve do të përdoren si mbrojtës ndaj insekteve për të mos dëmtuar rrënjën. Dalja në oborr pastaj vazhdimi i ujitjes së perimeve të mbjella. Ata i konsumojnë edhe brenda në kuzhinë këtu gjatë shujtave dhe sigurisht që iu pëlqejnë secili e ka shije e vet. Kemi mbjellë qepë, spinaq, domate, patëllxhan të zi, shalqi e lloje të ndryshme”, deklaron Xërxa.

Gentiana Zeka, asistente për fëmijët me nevoja të veçanta, thotë se në mbjelljen e kopshtit kanë kontribuar të gjithë fëmijët njësoj.

“Është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm pasi ata janë të entuziazmuar se si mbillet kopshti dhe të mirat që na sjell. Te fëmijët me nevojë të veçanta ndikon tepër mirë sepse ata janë të gjithë të përfshirë me fëmijët e tjerë dhe e dinë që edhe ata mund të bëjnë të njëjtën gjë si të tjerët. Janë të përfshirë 100 për qind në këto aktivitete. Kanë arritur përmirësime bukur shumë”, deklaron Zeka.

Valentina Isufi, përgjegjëse e objekteve “Orize” dhe “Aneks” thotë se kopshte të tilla janë krijuar edhe në 8 pika të tjera të çerdheve “Ganimete Tërbeshi”.

“Ideja lindi nga edukatorët. Është ideja e një ish-prindi tonë, Delvina Dylazeka që na mundësoi të kemi një bashkëpunim me fidanishten ‘Agro Kabashi’. Normal që është e rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve të kuptojnë se nga vijnë vitaminat dhe që iu bën atyre mirë. Ne jemi edhe në 9 lokacione të tjera dhe është e njëjta procedura që ka ndodhur në të gjitha pikat e çerdhes. Fëmijët janë shumë entuziastë”, thotë Isufi.

Brenda këtyre dy objekteve, është krijuar edhe një kopsht më i madh nga vetë edukatoret.