Edhe pse vite më parë ishte diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Bujar Bashota, vendosi t’i përkushtohet më shumë blegtorisë dhe bujqësisë.
As jeta jashtë vendit nuk e tërheq, thotë se të ardhurat nga puna në fshat janë të mjaftueshme dhe të kënaqshme për të dhe familjen e tij, prandaj nuk mendon të largohet nga vendlindja.
“Punën në fermë e kam filluar në vitin 2010. Gjatë vikendeve prej dëshirës, gjithmonë i kam ndihmuar babit me kujdesin e bagëtive edhe punët e fshatit. Kam diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Pak kam punuar në administratë dhe pjesë e kontabilitetit në një kompani në Malishevë. Por më e arsyeshme për mua ka qenë të punoj në fermë dhe punë të fushës. Kur i kam përfunduar studimet kam pasur mundësi me jetu në qytet, por e dua fshatin dhe punët e fshatit. Më pëlqen të merrem me kafshë, kryesisht me lopë. Sa për jashtë vendit kam pasur mundësi që edhe atje të shkoj, se gjysmën e familjes e kem por nuk shkoj sepse dua ta jap kontributin në vendin tim. Për mua është më mirë të punoj në fermën time, sesa të punoj për dikë tjetër për një pagë solide sa me mbajtë familjen e mos me arritë asgjë. Ju kisha sugjeruar të rinjve të merren me bujqësi. Nuk është turp të merresh me bujqësi, s’ka lidhje a është vajzë apo djalë”, thekson Bashota.
Fermeri nga mëngjesi e deri në mbrëmje bashkë me familjen kujdeset për 40 krerë me lopë, dhe nga të cilat merr rreth 300 litra qumësht në ditë.
Ministria e Bujqësisë, fermerit nga Malisheva ia ka dhuruar donacion 14 lopë qumështore, si dhe e kanë pajisur me një sistem solar për stallën.
“Puna fillon në 6:00 të mëngjesit, së pari fillojmë me pastrimin e plehut, mjeljen, i ushqejmë, ora 9:00 përfundon puna, deri në ora 16:00 nuk kanë nevojë për përkujdesje. Prej orës 16:00 përsëri e pastrojmë stallën dhe e bëjmë mjeljen e tyre. Aktualisht 250 litra i marrim qumësht, por ka raste deri në 300 litra në ditë. Qumështin e dorëzojmë në pikën grumbulluese në Malishevë. Në stallën tonë kemi racën simentall kryesisht”, deklaron ai.
Bashota ushqimin e bagëtive e siguron nga toka prej 25 hektarësh, që kryesisht e mbjell me misër dhe grurë.
Thotë se stalla dhe mjetet e punës janë vetëfinancim i fermerit.
“Ushqimin për bagëti kryesisht e sigurojmë nga toka jonë, 25 hektarë i mbjellim me misër, grurë tjerat livadh. Mjetet e bujqërisë i kemi të gjitha”, thotë Bashota.
Çdo fermer përfiton nga Ministria e Bujqësisë 90 euro për kokë lope, ndërsa për litër të qumështit kjo ministri ndan nga 0.07 cent.
Me mjete bujqësore dhe për litër të qumështit edhe komuna jep kontributin e saj.
“Në komunën e Malishevës përafërsisht janë 550 krerë me lopë, gradualisht po rritet numri i tyre, sidomos lopë qumështore. Komuna me buxhetin e vet mundohet t’i ndihmojë fermerët. Nga komuna janë dhuruar sera, e mjete bujqësore. 0.04 cent ndajmë për litër qumësht te çdo fermer”, thekson Sylë Dukolli, drejtor i Bujqësisë në Malishevë.
Familja Bashota brez pas brezi njihet si familje që merret me blegtori e bujqësi.