SOT

Studentët e Bujqësisë praktikojnë krasitjen në pemishtet llapjane

Me fillimin e pranverës fillojnë edhe punët për kultivime. Në një nga pemishtet e fshatit Shajkovc të Podujevës po bëhet krasitja e pemëve dhe në ndihmë po u dalin studentët e Fakultetit të Bujqësisë.

Po nisen drejt pemishtes, aty ku fillimisht takohen me agronomen Verina Krasniqi. Pasi marrin udhëzimet nga ajo, fillojnë punën. Këta janë disa nga studentët e Fakultetit të Bujqësisë të cilët punën praktike po e përfundojnë në pemishten “Sante Fruit” në Shajkovc të Podujevës.

Diellorita Lushaku është njëra nga studentet e cila rrëfen për procesin e krasitjes.

Verina Krasniqi është agronomja e pemishtes, e cila thotë se proceset e punës së kultivimit të boronicave shpjegohen dhe praktikohen nga studentët për t’u treguar se bujqësia është në toka e jo në zyrë.

“Ne jemi në fazën e krasitjes, i kemi marrë rreth 10 studentë që e bëjnë pjesën praktike në pemishte. Praktika ka filluar tash e tre vjet, ideja ishte që pjesën teorike që bëhet në fakultet, ta kuptojnë studentët edhe pjesën praktike për nga afër”, ka thënë ajo.

Bazuar në komentet e studentëve, Krasniqi thotë se orët e kaluara në terren janë efektive dhe përfitojnë shumë.

Ajo thotë se ata që janë të interesuar që nga fillimi, arrijnë shumë suksese në këtë fushë.

“Orët janë shumë efektive, mësojnë shumë, studentët që kanë qenë viteve të kaluara tashmë janë të punësuar në projekte të ndryshme”, ka thënë Krasniqi.

Ndonëse është në të 20-t e saj, Krasniqi ka arritur të përvetësojë mirë punën si agronome, për të cilën thotë se e bën me shumë dëshirë e pa përtesë.

“Gjatë studimeve kam qenë duke mbajtur praktikë në USAID, pastaj në ‘Sante Fruit’. Ideja është që studentët e Bujqësisë duhet të kuptojnë që puna është në terren e nëse e kuptojnë këtë do ta kenë shumë të lehtë për të gjetur punë”, ka thënë më tej ajo.

Pemët e imta të tilla si boronica, sipas agronomes, kanë filluar të kultivohen më shumë krahasuar me vitet e mëhershme në vend.

Ajo thotë se për 10 hektarët e kësaj pemishteje, kujdesi është maksimal, andaj edhe pritshmëria është e tillë.

“Shpresoj dhe besoj se ky vit do të jetë i begatshëm sa u përket punës dhe kushteve që ua kushtojmë pemishtes dhe fidanëve, pra u paraprijmë problemeve që të mos kemi probleme gjatë sezonit. Kjo varet edhe nga kushtet klimatike, temperaturat e larta, apo shiu e breshëri mirëpo tash veçse e kemi të instaluar sistemin kundër breshrit”, ka shtuar Krasniqi.

Aktivitetet e tilla të cilat ndihmojnë studentët për përvetësimin e aftësive praktike, sipas studentëve, janë të nevojshme jo vetëm për drejtimet në Fakultetin e Bujqësisë. Prekja, analizimi dhe diskutimi në realitet ua bën më të lehtë atyre të kuptojnë funksionin e objekteve të studimit.