Nxënës nga shkolla të ndryshme të Kaçanikut dhe qyteteve përreth shijojnë bukuritë natyrore të Strazhës.
Të shoqëruar nga mësimdhënësit e tyre, ata kalojnë kohë rekreative në hapësirën e njohur si “Pishat e Strazhës”, një atraksion turistik i njohur i këtij fshati.
Në mesin e tyre gjenden edhe shumë vizitorë të moshave të ndryshme që kanë zgjedhur këtë destinacion për t’u relaksuar në natyrë.
“‘Pishat e Strazhës’ janë një vend shumë i bukur dhe ja vlen të vizitohet. Ne si staf shkollor po mundohemi që sa më shumë t’i sjellim nxënësit në këto hapësira që të kalojnë kohë rekreative. Ka nxënës që vjen për herë të parë në këtë vend dhe për ta është e mrekullueshme të kalojnë kohë në natyrë, pos brenda objektit shkollor”, thekson vizitori Fadil Vishi.
Ajri i pastër dhe klima e shëndetshme janë disa nga veçoritë që e karakterizojnë këtë zonë, thekson përfaqësuesi i fshatit, Nexhmedin Lika.
“Si kryetar i fshatit mund të them se pishat e Strazhës janë vendi më i vizituar nga vizitorë të të gjitha grupmoshave. Ne si banor të Strazhës i kemi ruajtur shumë këto pisha e të njëjtën gjë e kërkojmë edhe nga vizitorët. Pishat janë të mbjellura që në vitin 1978 dhe ja ka vlejt, sepse freskinë nga to dhe ajrin e pastër e shijojmë sot të gjithë”, deklaron Lika.
Ai thotë se banorët ndër vite kanë pasur kujdes që të ruajnë ambientin nga ndotja dhe dëmtimet, por fatkeqësisht nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të gjithë vizitorët.
“Këtu vijnë njerëz që kanë sëmundje dhe kryesisht vijnë të moshuar. Të moshuarit janë më të kujdesshëm kur vjen në pyetje largimi i mbeturinave, ndërkaq të rinjtë fatkeqësisht nuk e bëjnë të njëjtën gjë. Unë jam rritur në këtë vend dhe ja di vlerën si për kah jetesa që bëhet ashtu edhe për ajrin e të mira që i marim në shëndet nga këto pisha atraktive”, thekson Lika.
Si përfaqësues i fshatit, Lika përmend edhe raste konkrete të vizitorëve që kanë përfituar nga ky vend. Ai tregon se ka takuar vizitorë që vuajnë nga astma, por që, sipas tij, kanë përjetuar përmirësim në shëndet pas qëndrimit disa javor në pishat e Strazhës.
“Kam pasur rastin që të takoj edhe mërgimtar nga Austria. Pas një javë kur është kthyer në Austria ka bërë më ka treguar se ka bërë kontrolle te mjeku dhe i ka thënë që nuk ke asnjë problem me astma. Prej asaj kohe po vjen vazhdimisht dhe po pushon këtu me familjen ku qëndrojnë me javë të tëra. Vizitorët janë nga të gjitha trevat e Kosovës e po ashtu edhe nga Maqedonia vijnë shumë. Fatmirësisht është zhvilluar edhe në aspektin turistik. Qysh herët njëri nga vendësit tanë e ka hapur një restorant, pronari i të cilit është munduar që edhe ta mirëmbajë këtë pjesë turistike dhe të tërheq sa më shumë vizitorë”, deklaron Lika.
Përveç pishave, Komuna ka ndërtuar edhe kënde lojërash për fëmijët, duke e bërë zonën edhe më tërheqëse për vizitorë të të gjitha moshave.
Banorët lokalë apelojnë vazhdimisht që natyra dhe ambienti të ruhen nga ndotja dhe të trajtohen me kujdes nga të gjithë ata që e vizitojnë këtë vend të bukur.