Me rritjen e temperaturave, Pishina e Gërmisë është kthyer në një prej destinacioneve më të frekuentuara për freski dhe argëtim. Qytetarë, por edhe turistë, po i drejtohen pishinës për t’u larguar nga temperaturat e larta dhe për të kaluar kohë në ambient të hapur. Krahas fluksit të vizitorëve, në fokus mbetet edhe siguria e tyre, për të cilën kujdesen shpëtimtarët dhe ekipi mjekësor që qëndron në gatishmëri gjatë gjithë orarit të punës.
E ndërtuar në vitin 1987. Pishina e Gërmisë për dekada me radhë ka qenë një prej pikave më të frekuentuara gjatë ditëve të nxehta të verës në Prishtinë.
Dikur e njohur edhe si “Liqeni i Gërmisë”, sot ajo vazhdon të mbledhë qytetarë që kërkojnë freski dhe relaks.
Por, përveç argëtimit, në një hapësirë të tillë rëndësi të veçantë ka siguria, pastërtia dhe mirëmbajtja e ujit.
Edhe këtë verë, pishina ka hapur dyert për qytetarët, me synimin që vizitorët të kalojnë ditët e nxehta në kushte sa më të mira.
Selim Selimi, vizitor në këtë pishinë, ka thënë se shkon shpesh, kryesisht për të kaluar kohë me nipin e tij, por edhe për të shijuar vetë pishinën e kryeqytetit.
Edhe
Analizat e nxjerrin të sigurt ujin e pishinës së Gërmisë, Krasniqi: Politika të lihet anash
“Unë vij bashkë me nipin. Është një vend shumë i mirë, kushtet më kanë befasuar shumë për të mirë...”, ka thënë ai. “Vendi është shumë i përshtatshëm për fëmijë....”
Në hapësirat e pishinës nuk mungojnë as shpëtimtarët të cilët gjithmonë janë në gatishmëri për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.
Tefik Fazliu ka thënë se tash e 26 vjet në Pishinën e Gërmisë nuk ka pasur asnjë mbytje.
“Po vet fakti që jemi ne prezent këtu e tregon rendësinë e madhe për shkak që ne jemi për të shpëtuar jetë. Pra secili qytetar i cili vjen dhe e frekuenton këtë pishinë të mrekullueshme, tek ta intervenojmë kështu që tash e 26 vjet po bëhet puna ime si shpëtimtar, është lajmi më i mirë që nuk kemi mbytje, por disa qytetar e përziejnë vdekjen me mbytjen, të gjitha vdekjet kanë ndodh prej sulmit kardiak...”, ka thënë ai.
Sipas Fazliut, qytetarët tanimë janë vetëdijesuar, nëse shohin një rast mbytjeje i thërrasin menjëherë shpëtimtarët.
“Ka pas raste por tani qytetarët janë vetëdijesuar dhe kur shohin ndonjë rast mbytjeje na thërrasin neve.... Për të gjithë qytetarët të cilët e frekuentojnë jo vetëm pishinën e Gërmisë por në të gjitha pishinat në Kosovë, këshilla më e mirë e imja është se të gjithë familjarët, fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkolla të notit, është domosdoshmëri, noti është i jashtëzakonshëm, për veç se është sport është edhe art”, ka thënë ai.
Menaxherja e Departamentit të Pishinës së Gërmisë, Medina Krasniqi Mushica, shton se deri më tani këtë pishinë e kanë frekuentuar deri në 25,000 qytetarë.
Edhe
Hapet Pishina e Gërmisë
“Këtë vit sezoni veror ka filluar shumë mirë dhe po ecën mirë, nuk kemi pas probleme dhe është gjithçka në rregull deri më tani. Deri më tani Pishinën e Gërmisë e kanë frekuentuar deri në 25,000 veta, sipas disa statistikave që i kemi nxjerrë”, ka thënë ajo duke shtuar se sivjet ka pasur rritje të numrit të vizitorëve në krahasim me vitet e kaluara.
Pishina e Gërmisë këtë vit është hapur më 20 qershor, tha menaxherja.
“Ne zakonisht hapjen dhe mbylljen e pishinës i bëjmë më mbarimin e shkollave dhe fillimin e shkollave të nxënësve, që fëmijët me qenë më të lirë, mos me pas angazhime tjera me ardh me u relaksu”, ka thënë ajo.
Hyrja në pishinë deri në moshën 16-vjeçare duhet të jetë me prindër ose me kujdestarin, shtoi Krasniqi Mushica.
Deri në moshën 6 vjeçare hyrja është pa pagesë, prej 6 vjet deri në 16 vjeç është 2 euro, ndërsa për të rriturit 4 euro, edhe gjatë vikendit për fëmijë është 2 euro ndërsa për të rritur 5 euro.
Lojëra dhe aktivitete të ndryshme bëhen edhe në këtë pishinë. Në hapje të saj ka filluar edhe shkolla e notit e tani edhe pa pagesë për të gjithë fëmijët, tha menaxherja.
Edhe
Arkeologët në Turqi zbulojnë pishinën antike me standarde olimpike
Ani pse është një ambient argëtimi, në Pishinën e Gërmisë për çdo rast emergjent janë të angazhuar edhe dy infermierë dhe një doktoreshë, të cilët qëndrojnë në gatishmëri gjatë kohës sa është e hapur pishina.
Pishina e Gërmisë është e hapur çdo ditë prej orës 10:00 deri në orën 18:00 për të gjithë qytetarët e vendit dhe turistët të cilët dëshirojnë ta vizitojnë.