SOT

Çikat e klubit “Prishtina Elitë” me synime për kampionatin e volejbollit

Rina Murtezi, Hana Beqa dhe Tringa Rama janë disa prej volejbollisteve të klubit “Prishtina Elitë”, të cilat kanë si synim kualifikimin në nivele më të larta të volejbollit në Kosovë.

Si ekip, ato janë pjesë e Super Ligës B, ndërsa synojnë që pas ndeshjeve të këtij sezoni të ngjiten në Super Ligën A.

Vajzat kanë filluar përgatitjet intensive për të qenë në formë para ndeshjeve të kampionatit. 

“Vitin e kaluar ne kemi hyrë në Super Ligën B dhe për ne ka qenë një befasi e madhe, gjithashtu edhe një arritje e madhe. Përshtatja me çikat ka qenë shumë e mirë, sepse gjithçka bëjmë në bashkëpunim. Ne veçohemi sepse kemi pika të forta mes njëra-tjetrës, sikurse pasimi, blloku dhe gjuajtja. Për këtë sezon kemi pritshmëri të mëdha. Ju kisha sugjeruar që vajzat të ushtrojnë volejboll, sepse sporti të ndihmon në shëndet, e sidomos në shëndetin mendor. Pretendime për të kaluar në ndonjë klub tjetër aktualisht nuk kam, sepse këtu ndihem si në shtëpinë time”, thotë Rina Murtezi.

Hana Beqa thotë se stërviten tre herë në ditë. 

“Në këtë sezon kemi filluar ushtrimet që para tre muajve dhe synojmë që të arrijmë më shumë sivjet. Vazhdimisht jemi stërvitur, tri herë në ditë. Jemi pretendente të dalim në vendin e parë dhe shpresojmë që këtë vit t’i fitojmë të gjitha”, deklaron ajo.

Tringa Rama tregon se luan volejboll qe 5 vjet.

“Me volejboll luaj që pesë vjet, por në këtë ekip jam që një vit. Është ekipi më i mirë ku jam stërvitur. Kam përkrahjen e trajnerit dhe të çikave. Sivjet kemi pretendime të mëdha sa i përket kampionatit. Jemi në përgatitje intensive. Fillimet në këtë klub kanë qenë të vështira, por pastaj jam përshtatur mirë”, thekson Rama.

Nga klubi “Prishtina Elitë” janë nëntë vajza që janë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në volejboll.
Klubi i volejbollit “Prishtina elitë”, ka gjithsej 6 shkolla të volejbollit, nëpërmjet të cilave përgatiten gjenerata të reja sportistesh.

“Ne jemi një klub që jemi krijuar vonë, por së fundmi kemi arritur të jemi pjesë e Super Ligës B dhe me përgatitjet e çikave synojmë të bëhemi pjesë e Super Ligës A. Kemi marrë pjesë edhe në gara ndërkombëtare, si në Itali e vende të tjera. Për vitin e ardhshëm synojmë të jemi në Super Ligën A”, thekson trajneri Kastriot Azemi.

Kampionati i volejbollit ka filluar, ku gjithsej garojnë 8 ekipe. E vajzat e “Prishtina Elitë” thonë se kanë synim fitoren.