Shtojca për Kulturë

Raport lidhur me propozimin për të marrë pjesë në hartimin e projektit “Fjalor i madh i gjuhës shqipe”

Raporti per ASHAK

Sekretarit të Seksionit - Akademik Eqrem Basha

Prishtinë, mars 2021

Në mbledhjen e Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHAK-ut, grupit të nënshkruar më poshtë iu dha detyrë të jepte mendimin e vet lidhur me mundësinë e angazhimit të ASHAK-ut në projektin “FJALOR I MADH I GJUHËS SHQIPE” të propozuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Pasi lexoi materialet e parashtruara dhe raportet në media nga propozues të projektit në Tiranë dhe angazhimet e ndryshme në Prishtinë, dhe pasi e analizoi gjendjen në Seksion dhe në Akademi lidhur me punët leksikografike, grupi vendosi të paraqesë raportin vijues.

Projekti parashikohet të jetë Projekt i Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë (edhe pse kjo nuk thuhet në mënyrë eksplicite).

I. Për realizimin e këtij projekti të madh propozohen këta bartës të mundshëm:

A.       Projekti i Departamentit të leksikologjisë dhe të Leksikografisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike

B.       I Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me hartues të pavarur (punonjës të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, Tiranë, Leksikografë profesionistë në pension, Leksikografë nga IAP (Kosovë), Leksikografë nga universitetet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni;

C.       Të krijohet Institut leksikografik me të paktën 15 leksikografë dhe 5 forca ndihmëse.

Në të gjitha versionet nga institucione brenda Republikës së Shqipërisë.

II. Për bashkëpunim parashikohen:

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Universitetet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kozencë, Palermo

Siç kemi mundur të shohim nga kjo parashtresë dhe nga deklarimet në mjete të informimit, nisma nuk është përkufizuar në mënyrë të qartë, nuk është e qartë kush do të jetë bartës i projektit dhe në çfarë cilësie e kompetence kërkohet bashkëpunimi nga institucionet e tjera, konkretisht nga ASHAK-u.

Afati i realizimit të këtij Projekti: maj 2021-maj 2025.

Në grupin e hartuesve janë parashikuar 31 emra në Shqipëri nga Shqipëria (18), nga Kosova (IAP 3, ASHAK 1, Universiteti i Prishtinës 1), nga Maqedonia e Veriut 3, nga Mynihu 1, nga Greqia 1, nga Italia 1  (Palermo).

Asnjëri nga 2 anëtarët e ASHAK-ut (R. Ismajli, B. Rugova) nuk janë konsultuar paraprakisht as për projektin as për mundësinë eventuale të angazhimit në të.

Janë parashikuar dhe 5 forca ndihmëse (1 nga IAP në Prishtinë).

Nuk ka specifikim të obligimeve të punës që do të merrte mbi vete konkretisht ASHAK-u, pra as obligimet (pos financiare, për të cilat do të flasim më poshtë), nuk ka specifikim të të drejtave institucionale të një anëtari bartës të bashkëpunimit institucional.

Nga ASHAK kërkohet që përmes një anëtari të saj të marrë mbi vete tërë barrën e punës në 5 vitet e ardhshme, çka do të nënkuptonte shterrjen e të gjitha burimeve dhe energjive njerëzore ekzistuese dhe angazhimin e të tjerave, duke lënë anash çfarëdo projekti dhe plani tjetër pune në Seksion apo në Akademi.

Kjo pjesë themelore e Projektit nuk është konceptuar mbi bazë të çfarëdo konsultimi paraprak me anëtarët e Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHAK-ut, as me institucionin.

III. 1. Ndër objektivat imediate të Projektit janë shënuar:

-          hartimi dhe diskutimi i "Parimeve e i kritereve të fjalorit"

-          diskutimi rreth tipit të fjalorit, teknologjisë e teknikës leksikografike

-          caktimi i redaksisë shkencore të Fjalorit

-          përcaktimi i mënyrës së punës hartuese, i mënyrës së komunikimit e bashkëpunimit midis hartuesve dhe midis hartuesve e redaktorëve me kryeredaktorin.

III. 2. Krijimi i kartotekës Kombëtare të leksikut të shqipes, pa të cilën nuk mund të fillojë puna në hartimin e veprës. Në këtë punë kërkohet ndërhyrja e shtetit.

III. 3. Fillimi i procesit hartues

Të gjitha detyrat nga këta "Objektiva" kërkojnë nga bashkëpunuesit angazhim të tërë energjive që kanë në dispozicion. Për asnjë prej pikave të përmendura anëtarët e ASHAK nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë nuk kanë pasur mundësi as të bisedojnë me askënd nga propozuesit dhe me askënd tjetër.

IV Konstruksioni financiar

Në këtë pjesë janë parashikuar alterantiva.

Për realizimin e projektit kërkohen:

15 profesorë për 48 muaj me rroga mujore;

5 forca ndihmëse për 48 muaj me rroga mujore;

shpenzime për takime jashtë Shqipërisë;

bazë materiale: 15 kumpjuterë, tre printerë, dy skanerë, etj.;

parashikohet dhe botimi dhe efektet financiare prej tij.

Parashikohen dhe shpenzimet për hartimin e zërave, për përfshirjen në kompjuter, për korrekturë teknike, për redaktim letrar, për redaktim shkencor, për formatin dhe për recension.

Supozojmë se këto forca pune kërkohen për qendrën në të cilën do të vendoset projekti në Tiranë, ndërsa për të tjerat nuk saktësohet asgjë.

Por në arsyetimin e kostos financiare për 4 vjet kërkohen që Kosova të marrë pjesë në Projekt me 75.000 euro, pa specifikim se përmes cilit institucion do të siguroheshin ato mjete.

Përfundim: mendojmë se i tërë konstruksioni është në fazë jo mjaft të menduar dhe të specifikuar. Ka paqartësi themelore që lidhen me bartësin e projektit, me organizimin e punës, me statusin e institucioneve bashkë­punuese dhe me infrastrukturën e tyre organizuese e institucionale.

V. Metodologjia e punës

Nga parashtresat e ndryshme brenda këtij teksti mund të shihet se synohet që mbi bazë të fjalorëve të hartuar më parë tani të hartohet një "Fjalor i madh i gjuhës shqipe" me diku thuhet 100.000 fjalë, diku 90.000 fjalë. Synimi kryesor është të ndiqet përvoja e deritashme në hartimin e fjalorëve, metodat e punës (vjelja, mënyra e selektimit të fjalëve për parashtrim, mënyra e paraqitjes dhe përshkrimit të fjalëve, parimet e normëzimit dhe të standardizimit), pra në pikë të fundit të bëhet një fjalor i ngjashëm me të mëparmit me një rritje fizike të lëndës së parashtruar.

Deri tash anëtarët e Seksionit nuk kanë pasur mundësi të jenë pjesëmarrës në asnjë veprimtari që do të shqyrtonte çështje të kësaj natyre (pos në kuadër të diskutimeve të pakta dhe pa shumë rezultat konkret në kuadër të KNGJSH).

Duke gjykuar nga parashtresa kryesore dhe nga parashtresa alternative që na është ofruar, duket që mund të ketë dhe mendime të tjera lidhur me këtë punë, e që anëtarët e Seksionit nuk kanë pasur rast t'i artikulojnë.

PËRFUNDIM

Projekti në vetvete si ide e si synim meriton respekt dhe vlerësim.

Projekti si projeksion i realizimit të objektivave të vendosur nuk është menduar mjaftueshëm, ka nevojë për plotësime dhe qartësime themelore.

Projektimi i pjesëmarrjes së ASHAK-ut në këtë punë kaq themelore nuk është aspak i qartë: do të jetë bashkautor i Projektit, ndihmës nga jashtë, apo thjesht një emër në listën e atyre që e legjitimojnë projektin.

Për përcaktimin e rolit të ASHAK-ut në një projekt të këtillë, që do të kërkonte angazhim të burimeve të saj njerëzore dhe financiare në shkallën që do të linte anash të gjitha projektet e tjera, nëse është ndjerë nevoja e këtij bashkëpunimi, kanë qenë të domosdoshme diskutime thelbësore paraprake. Sa dimë ne, në asnjë rast nuk është diskutuar ndonjë na çështjet e përmendura.

Mendojmë se me parametrat e paraqitur, me paqartësitë lidhur me bartësin e Projektit, e elementet e tjera të veçuara më sipër, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASHAK-ut nuk ka mundësi të përfshihet ashtu si është parashikuar.

Shtesë

ASHAK ka një kohë ka synuar një veprimtari konkrete në fusha si kjo që po na paraqitet tani si Projekt. Synimi ka qenë:

-          themelimi i QLE (për çka është marrë vendim) dhe efektuimi (çka nuk është bërë);

-          në vitin 2008 ishte hartuar madje edhe propozimi për Rregulloren e punës të QLE-së, por ajo nuk u miratua as u vu në veprim asnjëherë;

-          vështirësitë për realizimin e këtij Projekti të ASHAK-ut qenë të natyrave financiare, por edhe konceptuale: Drejtuesit e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës nuk donin të përfshiheshin në punën e QLE-së, prandaj kjo punë u la për më vonë. Megjithatë, disa punë kishin nisur dhe objektivi ishte të krijohej Korpusi kombëtar i gjuhës shqipe dhe për këtë u bënë shumë konsultime, por mungonin financimet. Një pjesë të pajisjeve teknike (skaner) ASHAK ia doli ta siguronte, por nuk ia doli të siguronte financim për ngritjen e kapaciteteve të tjera teknologjike, sepse kishte anëtarë të Seksionit dhe të Kuvendit të Akademisë që nuk pajtoheshin me ndërmarrjen për shkak të kostos.

-          Në rrethana të atilla anëtarët e seksionit vazhduan punën në mënyrë më tepër vullnetare me hartimin e materialeve për Projektin "Shqipja e shkruar në Kosovë", të ndërtuar në atë mënyrë që të ishte i përfshishëm me lehtësi në projektin themelor të Korpusit kombëtar të gjuhës shqipe. Për këtë punë kishte një mbështetje gati simbolike me angazhimin e një leksikografi me kontratë mbi vepër dhe të një punonjësjeje teknike (për skanime), por pas një kohe edhe kjo u ndërpre.

Jemi të mendimit se në rrjedhat aktuale të mënyrave të hartimit të fjalorëve dhe të shumë projekteve të tjera krijimi i Korpusit kombëtar të gjuhës shqipe ka rëndësi themelore, qoftë për vjeljen e materies leksikore, apo për përdorimet e njësive të ndryshme në rrethana e kontekste të ndryshme. Prej tij fare normalisht do të derivoheshin fjalorë të ndryshëm, ashtu si njohuri të tjera për strukturën e gjuhës dhe për përmasat e përdorimeve në kohë dhe hapësirë.

Mendojmë se, që të jetë produktive si institucion në punë të leksikografisë (përfshirë fjalorët enciklopedikë, leksikonët, etj.) ASHAK duhet të orientohet në krijimin e bazës institucionale-materiale brenda QLE-së, ta bëjë Qendrën funksionale dhe efikase dhe pastaj të angazhohet në ndërmarrje të tjera të niveleve të ndryshme.

Me respekt,

Akademik Rexhep Ismajli

Anëtari korrespondent i ASHAK-ut prof. dr. Bardh Rugova dhe

Anëtari korrespondent i ASHAK-ut prof. dr. Shkumbin Munishi