Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trump: Shumë shpejt pritet nënshkrimi i marrëveshjes me Iranin

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se sapo kanë arritur një zgjidhje për luftën me Iranin dhe se së shpejti do të ketë edhe nënshkrim të marrëveshjes.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi tha se janë në proces të finalizimit të dokumenteve. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

"Do të jemi në proces të finalizimit të dokumenteve. Kjo duhet të bëhet gjatë ditëve të ardhshme”, ka thënë ai, raportoi BBC-ja.

Presidenti amerikan e la si mundësi që nënshkrimi i dokumentit të bëhet edhe në Evropë.

"Ne kemi një marrëveshje që Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore, që ishte i gjithë qëllimi i asaj që na u desh të kalonim për ta arritur këtë. Pra, është një gjë shumë e rëndësishme”, është shprehur ai. 

Trumpi ka shtuar se Ngushtica e Hormuzit do të hapet sapo ta kenë nënshkruar marrëveshjen.

Ai gjithashtu thotë se ka folur me udhëheqës në rajon, përfshirë aleatët e Gjirit dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, që sipas tij, janë të lumtur për arritjen e marrëveshjes. 

Derisa iu përgjigj një gazetari që e përmendi se në të kaluarën SHBA-ja dhe Irani ishin afër arritjes së një marrëveshjeje dhe e pyeti se çfarë ka ndryshuar këtë herë, Trumpi ka thënë se pala tjetër është më e interesuar për marrëveshje sesa vetë ai. 

"Sepse ata kanë duruar një goditje të fortë. Ata kanë duruar një goditje të fortë që shumë pak njerëz mund ta duronin. Dhe ata duan të bëjnë një marrëveshje shumë më tepër se unë”, ka thënë ai.

Netanyahu: Izraeli nuk është palë e marrëveshjes SHBA-Iran

11 min. më parë / 11 qer 2026 23:17
Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se Izraeli nuk është palë e marrëveshjes midis SHBA-së dhe Iranit. 

Kështu ka deklaruar ai pas bisedës telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, rreth marrëveshjes së re me Iranin, raportoi “Times of Israel”.

Nga zyra e Netanyahut thuhet se në bisedë, kryeministri izraelit është shprehur optimist për një marrëveshje mes palëve. 

“Edhe pse Izraeli nuk është palë në memorandumin e mirëkuptimit, kryeministri shprehu vlerësimin e tj për angazhimin e presidentit Trump se marrëveshja përfundimtare e arritur nga negociatat do të përfshijë heqjen e uraniumit të pasuruar, kufizimet në prodhimin e raketave dhe ndërprerjen e mbështetjes së Iranit për përfaqësuesit e tij terroristë në rajon”, thuhet në deklaratën e lëshuar.

Trumpi ka deklaruar të enjten se shumë shpejt pritet të nënshkruhet marrëveshja me Iranin, duke lënë si mundësi të hapur që kjo të ndodhë në fundjavë në Evropë. 

Nga ana tjetër, Irani ka mohuar se është finalizuar marrëveshja me SHBA-në.

Irani mohon se është finalizuar marrëveshja me SHBA-në

26 min. më parë / 11 qer 2026 23:02
Esmail Baghaei

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka thënë se pretendimet lidhur me një marrëveshje të mundshme mes Iranit dhe SHBA-së janë spekulative dhe “asgjë nuk është finalizuar". 
Baghaei ka folur për televizionin shtetëror iranian, pak pasi që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se marrëveshja pritet të nënshkruhet shumë shpejt, transmeton "BBC". 

Bagheai ka thënë se pjesa më e madhe e tekstit tashmë “është finalizuar”, por thotë se SHBA-ja po bën “kërkesa të tepruara dhe po shton kërkesa të reja”. 

Ai gjithashtu mohoi se Irani kishte pasur qëllim të “tërhiqej nën presion” dhe këmbënguli se Irani nuk do të “hiqte dorë nga vijat e tij të kuqe”.

Ai tha se edhe Katari ka vepruar si ndërmjetës mes Iranit dhe SHBA-së.

Baghaei fajësoi SHBA-në për situatën aktuale në Ngushticën e Hormuzit, duke thënë se SHBA-ja e ka bërë atë “më pak të sigurt” me veprimet e saja.