Shtojca për Kulturë

“Purple” sfidon patriarkalen që shkel përpjekjet për vetidentifikim

Shfaqja “Purple” reflekton mbi një realitet të zakonshëm, por shpesh të pathënë: prindërit nuk janë vetëm role funksionale, por janë qenie me dëshira, ëndrra e dhimbje

Shfaqja “Purple” reflekton mbi një realitet të zakonshëm, por shpesh të pathënë: prindërit nuk janë vetëm role funksionale, por janë qenie me dëshira, ëndrra e dhimbje

Ngjyra vjollcë përfaqëson ndjenjën e trishtimit dhe depresionit, dhe është pikërisht kjo ngjyrë që e frymëzoi regjisoren Selma Spahiq për ta krijuar këtë histori, ku njerëzit duhet të përballen me konservatorizmin, paragjykimet apo edhe fashizmin. Ngjashmëria nuk është e qëllimshme, por shumë mund ta njohin veten në personazhet e shfaqjes “Purple”

Në mjediset e familjeve tradicionale ka shumë dashuri dhe kujdes, por kur vihen në pikëpyetje kufijtë e lirisë, gjithçka bëhet tabu. Me këtë ide ka udhëtuar ekipi teatral i “Kamerni 55” nga Bosnjë-Hercegovina për në Prishtinë, për ta sjellë shfaqjen “Purple” në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Prishtinë. Shfaqja në regji të Selma Spahiq përbëhet prej një kaste me gjashtë aktorë, të cilët në mbrëmjen e së premtes kanë dalë para një audience të ngushtë në teatrin “Faruk Begolli” të kolegjit “AAB”, për ta performuar në boshnjakisht shfaqjen që në gjuhën origjinale e mban emrin “Ljubičasto”.

Nën dramaturgjinë e Emina Omeroviqit, shfaqja “Purple” e ka pasur premierën e vet më 11 dhjetor 2021 në “Kamerni 55” në Sarajevë dhe e veçanta e këtij projekti është se nuk ka pasur një model se ku të bazohet, por në fakt i tërë ansambli e ka krijuar dramën bashkë, duke përfshirë ide nga marrëdhëniet e vërteta familjare të aktorëve, andaj për secilin aktor procesi i krijimit ka qenë i veçuar dhe ndryshe nga të tjerët.

Tatjana Shojiq, e cila e luan rolin e kryefamiljares, me sa duket nuk është modeli konservator i një nëne, sepse ajo eksploron lirinë e saj si qenie. Bashkë me të, në skenë luajnë edhe Maja Izetbegoviq, Davor Goluboviq, Anja Kraljeviq, Sabit Sejdinoviq dhe Boris Ler.

Shfaqja tregon një familje të larmishme borgjeze, brenda së cilës të gjithë e dinë rolin e tyre dhe e bëjnë atë çka është më e mira për të dashurit e tyre, janë jashtëzakonisht të sinqertë me njëri-tjetrin, konsultohen dhe ndihmojnë njëri-tjetrin – të gjitha i bëjnë, vetëm që të gjithë të jenë të lumtur. Lumturia e tyre prishet kur futet ngjyra vjollcë dhe bashkë me të edhe sfidimi shqetësues i lirisë. Cili është kufiri i lirisë të cilin jemi të gatshëm ta kalojmë si individë? Çfarë kufijsh i ka kaluar shoqëria patriarkale prej kohësh? A e pranohet lumturia e dikujt tjetër vetëm nëse i plotëson kriteret tona? A jemi në rrugën drejt një shoqërie të rregulluar dhe drejt një komuniteti fisnor? Rezultati është një histori për një grua që mendojnë se e njohin, për vijën e hollë midis lirisë së saj dhe “fashizmit” të familjarëve të saj.

Në momentin që familjarët i zënë në flagrancë nënën e tyre dhe një student të huaj që ka ardhur në qytet të studiojë anglisht, ata nuk kanë durim as t’i dëgjojnë arsyetimet e së ëmës, i qortojnë pa fund. E kapin studentin dhe e çojnë në një kthinë për ta vrarë. Dëgjohen zhurma të lopatave me të cilat goditet për vdekje – por për befasi studenti kthehet sërish te kryefamiljarja. Kjo ndodh edhe dy-tri herë të tjera derisa ai nuk kthehet më. Kjo zhdukje dhe ky rikthim kanë qenë si metaforë e përpjekjes së fëmijëve “për ta vrarë” të riun që jeton brenda zemrës së nënës së tyre.

Ngjyra vjollcë përfaqëson ndjenjën e trishtimit dhe depresionit, dhe është pikërisht kjo ngjyrë që e frymëzoi regjisoren Selma Spahiq për ta krijuar këtë histori, ku njerëzit duhet të përballen me konservatorizmin, paragjykimet apo edhe fashizmin. Ngjashmëria nuk është e qëllimshme, por shumë mund ta njohin veten në personazhet e shfaqjes “Purple”.

Pikërisht ky realitet shpërthen në skenë përmes një ngjyre që përfaqëson më shumë sesa trishtim – vjollca bëhet simbol i revoltës, i xhelozisë dhe i përpjekjes për vetidentifikim

Vetë regjisorja nuk ka qenë e pranishme kur është dhënë shfaqja në Prishtinë, por për shfaqjen ka folur ushtruesi i detyrës së drejtorit të teatrit “Kamerni 55”, Vedran Fajkoviq.

“Shfaqja ka të bëjë me një familje tradicionale boshnjake, një familje normale, e cila nuk ia ka idenë se çka bën kryefamiljarja. Në esencë, storia mundohet të tregojë se si ne nuk e kuptojmë se kush janë prindërit tanë, që natyralisht i shohim si funksione; ajo është nëna, ajo duhet të kujdeset për fëmijët e saj. Nuk e dimë se kush është ajo në të vërtetë. Nuk i vlerësojmë këta njerëz, nuk e kuptojmë që para se të kishin fëmijë, ata kishin karrierat dhe ëndrrat e tyre, idetë e tyre për jetën, e pastaj kur vijnë në jetë fëmijët dhe krijohet familja, bëhen prindër, bëhen ata që na mësojnë, ata që kujdesen për ne dhe krejt historia e shfaqjes është se si fëmijët nuk janë kurrë në gjendje të shkëputen nga ideja se nëna ose babai – nuk ka rëndësi cili – nuk janë veç funksione, janë qenie të gjalla, i kanë ëndrrat e veta, e jetojnë jetën e vet dhe është goxha e vështirë të bëhet ky dallim”, ka thënë për KOHËN ushtruesi i detyrës së drejtorit të teatrit boshnjak, Vedran Fajkoviq.

Për përzgjedhjen e ngjyrës vjollcë, ai ka treguar se është përdorur një kuptim figurativ i saj, për të shprehur një gjendje shpirtërore dhe një ndjenjë të zararshme.

“Ngërthen shumë simbole në vete përzgjedhja e ngjyrës vjollcë, por ajo më e zakonshmja është se kjo ngjyrë është ngjyra e xhelozisë, andaj e kemi zgjedhur për këtë shfaqje”, ka shtuar ai më tej.

Aktori Boris Ler që në dramë e ka rolin e njërit nga dy bijtë e familjes, ka treguar përshtypjet e tij për reagimin e publikut. Ka shtuar se në Prishtinë ka qenë edhe dy herë të tjera për të luajtur shfaqje serbe e boshnjake.

“Në Prishtinë isha edhe me një performacë nga Mostari dhe një herë tjetër me një nga Beogradi, patëm ardhur t’i luajmë ato shfaqje dhe tani për shfaqjen ‘Purple’ është shumë kënaqësi të jem këtu sërish, sepse mendoj se audienca kosovare është vërtet emocionale, i ndjekin performancat me tërë trupin dhe mendjen e tyre, andaj po ta shohësh shfaqjen, e vëren lidhjen që krijohet mes neve aktorëve dhe publikut, të paktën unë e ndjeva, se po këqyrnin pa lëvizur, gjithnjë edhe me frymëmarrjet në sinkron me ne dhe është kënaqësi e madhe kjo. Qytetin gjithashtu e dua shumë!”, ka folur për KOHËN edhe aktori boshnjak Boris Ler.

Me gjithë këtë bujë brenda sallës, shfaqja “Purple” është një goditje e ndjeshme dhe tronditëse ndaj strukturave patriarkale që vijojnë të kufizojnë lirinë e individit, sidomos brenda familjes tradicionale. Ajo reflekton mbi një realitet të zakonshëm, por shpesh të pathënë: prindërit nuk janë vetëm role funksionale, por janë qenie me dëshira, ëndrra e dhimbje. Pikërisht ky realitet shpërthen në skenë përmes një ngjyre që përfaqëson më shumë sesa trishtim – vjollca bëhet simbol i revoltës, i xhelozisë dhe i përpjekjes për vetidentifikim.

Duke ngjallur ndjesi të thella përballë mënyrës se si drama e shpërfaq dashurinë familjare që ngulfatet nga pritshmëritë kolektive, ajo tregon se si ndjenjat më të sinqerta mund të shndërrohen në gjykim, dhunë e shtypje në emër të “rregullit”. “Purple” nuk jep përgjigje të lehta, por vë përballë pyetjeve thelbësore mbi lirinë, identitetin dhe aftësinë për ta parë njeriun përtej rolit që luan në jetë.