Shtatë studiues kanë përthekuar disa prej hulumtimeve të tyre në raport me periudhën kur Justiniani qeveriste me perandorinë më të madhe të asaj kohe. Janë bashkuar në konferencën njëditore, “Justiniani I: Ndikimi i tij në Ilirikum”. Është dëshmuar tashmë se ndërtoi qytetin Justiniana Secunda në lindje të Ulpianës që mori fund në vitin 518 pas tërmetit të fortë. Vulën e këtij perandori e kanë edhe disa kështjella të ngritura apo të rindërtuara si Durrësi, Elbasani, Berati, Shkodra, Lezha e të tjera. Rindërtoi edhe Naisopolisin, Nishin e sotëm e disa qytete të tjera
Justiniani I është titull zyrtar, përderisa Justiniani i Madh vjen si epitet për të bëmat e perandorit romak. Nën udhëheqjen e tij midis viteve 527 deri më 565 – si perandori i fundit që komunikonte në latinisht – krejt Perandoria përjetoi një rizgjim në aspektin social, zhvillimor, arkitekturor e atë të legjislacionit. Perandori me prejardhje nga Dardania, s’e la pas as gjenezën e tij. Sidomos në dy vjetët e fundit, gërmimet arkeologjike në Ulpianë, treguan qartë se qe Justiniani që ndërtoi qytetin Justiniana Secunda në lindje të Ulpianës që mori fund në vitin 518 pas tërmetit të fortë që goditi këto anë. Në latinisht u gjet mbishkrimi në bazilikën më të madhe të zbuluar deri me tash në Ballkan, se Justiniani me gruan e tij Theodora, u kujdesën personalisht për ndërtimin e Jutiniana Secundas. Është mbishkrimi i parë i këtij lloji i zbuluar deri më tash. Kontributi i tij në Ilirikum përgjatë viteve të udhëheqjes qe i madh.
E një pjesë e këtij kontributi është trajtuar në konferencën shkencore “Justiniani I: Ndikimi i tij në Ilirikum”, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës së bashku me Institutin Arkeologjik të Kosovës.
Të mërkurën, shtatë studiues kanë përthekuar disa prej hulumtimeve të tyre në raport me periudhën kur Justiniani qeveriste me perandorinë më të madhe të asaj kohe. Ushtrueset e detyrës së drejtorit në të dyja institucionet, Meliza Krasniqi e Zana Rama, në fjalët e tyre hapëse kanë përshëndetur konferencën shkencore me thirrjen që të vihet sa më shumë në pah kontributi i perandorit me nam. Njëjtë ka vepruar edhe Nuridin Ahmeti në fjalën e tij si drejtues i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Dyrrahu, kryeqendra e provincës së Epirit të Ri
Arkeologu e profesori universitar, Luan Përzhita, nëpërmjet kumtesës së tij “Epoka Justinianit në fokusin e kërkimeve arkeologjike shqiptare”, është paraqitur në një lidhje nga distanca në konferencën e mbajtur në Institutin Albanologjik që ka ardhur si ide e nën koordinimin e hulumtueses Zana Hoxha.
Përzhita ka thënë se kërkimet intensive sistematike të vjetëve të fundit, në provincat ilire të Prevalitanës, Epirit të Ri, Epirit të Vjetër dhe të Dardanisë kanë qenë të shumta, të cilat për rëndësinë dhe kontributin e tyre i kanë dhënë një fytyrë të re arkeologjisë e artit bizantin të shekullit VI, që lidhet me epokën e Justinianit. Ka thënë se disa kështjella të ngritura apo të rindërtuara gjatë kohës së Justinianit janë Durrësi, Elbasani, Berati, Shkodra, Lezha e të tjera përderisa të tjera më modeste ruhen në lokalitete të ndryshme.
“Prokopi Cezares, bashkëkohës i Justinianit, i cili në veprën e tij ‘De Aedifìcis’, përveç qyteteve të rindërtuara, numëron në provincat ilire të Epirit të Ri dhe Epirit të Vjetër 44 fortesa të ndërtuara e 50 fortesa të rindërtuara, ndërsa në provincën e Dardanisë janë regjistruar 69 kështjella, nga të cilat 8 të reja dhe 61 të rinovuara”, ka thënë Përzhita. Sipas tij, qyteti më i shquar bizantin në Shqipëri ishte Dyrrahu, kryeqendra e provincës së Epirit të Ri dhe në të njëjtën kohë porti më i madh i Adriatikut Juglindor që në periudhën paleobizantine luajti një rol të veçantë në përhapjen e krishterimit në prapatokën e gjerë të tij dhe të qytetërimit bizantin.
“Kalaja bizantine e Dyrrahut u ndërtua me urdhër të perandorit Anastasi I i lindur në këtë qytet. Veprën e kryer nga Anastasi I e përfundoi Justiniani. Një vepër e epokës së Justinianit në Dyrrah është mur barriere i ndërtuar me teknikën ‘opus mixtum’ në veri të qytetit, i njohur me emrin Muri i Portës. Ndërtimet mbrojtëse të filluara nga Anastasi në territorin e sotëm të Shqipërisë u vazhduan në një shkallë më të madhe nga Justiniani, që kishte në dispozicion një grup arkitektësh e inxhinierësh me eksperiencë”, ka thënë Përzhita. Si shembullin më të bukur e ka paraqitur qytetin Bylis.
“Nuk ka ndodhur deri tani që të zbulohet një pasuri e tillë mozaikësh e skulpturash dekorative arkitektonike paleokristiane në një qytet të shekujve V e VI në Shqipëri. Brenda kësaj sipërfaqeje të reduktuar, por edhe jashtë saj janë zbuluar deri tani pesë bazilika paleokristiane”, ka thënë ai. Është ndalur edhe në lokalitete të tjera e deri te Justiniana Secunda.
E për këtë më gjatë ka folur arkeologu Milot Berisha, njëherësh udhëheqës i projektit për shndërrimin e një pjese të Ulpianës në park arkeologjik e po ashtu bashkudhëheqës i gërmimeve nëpërmjet të cilave është zbuluar mbishkrimi i Justinianit në Justiniana Secunda.
Dy qytete që flasin një gjuhë të Antikitetit të Vonë
Nëpërmjet temës “Municipium Ulpiana – Justiniana Secunda dhe Bylis: Krahasim mbi strukturën urbane në Antikitetin e Vonë” të punuar bashkë me Zana Hoxhën, ai ka shpalosur disa krahasime midis dy lokaliteteve me nam. Berisha ka sqaruar se njëri qytet vjen nga tradita e polisit helenistik, tjetri nga ajo e municipiumit romano-provincial. Por, sipas tij, në shekullin VI, nën hijen e Justinianit, të dy këto qytete duken sikur flasin të njëjtën gjuhë.
“Tkurren dhe rifortifikohen, mbushen me bazilika dhe mozaikë, riciklojnë gurët e vet për të mbijetuar, bëhen qendra peshkopale në një Ilirik që po ndryshon shpejt”, ka thënë ai. Më pas ka shpalosur edhe tezen e dyshes.
“Teza jonë është e thjeshtë: Bylisi dhe Ulpiana – Justiniana Secunda janë dy qytete-laborator të Antikitetit të Vonë, ku mund të lexojmë se si një program perandorak – ai i Justinianit – zbret në terren, përkthehet në arkitekturë, në fortifikime, në peizazh të krishterë dhe pastaj përballet me kufijtë e vet”, ka thënë Berisha. Ka nisur me Bylisin duke shpalosur të dhëna historike që bazohen në gjetjet arkeologjike dhe ka thënë se Bylisi në shekullin VI është një qytet që rindërtohet duke konsumuar vetveten e një qytet ku destruksioni dhe ndërtimi ecin krah për krah.
“Në fund të shekullit VI nën presionin e inkursioneve sllavo-avare, ky qytet i rifortifikuar, me gjithë bazilikat dhe muret e tij, braktiset. Peshkopata zhvendoset drejt Ballshit. Polisi helenistik, qendra peshkopale dhe castrumi i vonë mbeten të gjitha në të njëjtët gurë”, ka thënë ai. Më pas ka vazhduar me Ulpianën e Justiniana Secundan që sipas tij nga municipium dardan bëhet “urbs Dardaniae”. Pasi ka folur për historinë e qytetit dardan deri më 518, ka thënë se më pas Justiniani jo vetëm riparon, por riformaton të gjithë hartën e Ilirikut duke krijuar dy qytete me emrin e tij – Justiniana Priman dhe Secundan duke e përdorur toponimin si deklaratë politike.
“Prospektimet gjeofizike dhe gërmimet e viteve të fundit na lejojnë të dallojmë qartë: Ulpianën romake prej rreth 35,5 hektarë dhe qytetin e ri Justinianian prej rreth 17,7 hektarë me mur të ri, bastione dhe porta”, ka thënë Berisha. E ka elaboruar edhe Justiniana Secundën bashkë me gjetjet e deritashme. Kurse në përmbyllje midis të tjerash ka thënë se Bylisi dhe Ulpiana – Justiniana Secunda lejojnë të shohim në miniaturë fundin e qytetit romak në Ballkan.
“Nëse Bylisin mund ta lexojmë si laborator të transformimit nga koinon helenistik në qendër peshkopale ilire, Ulpianën – Justiniana Secundan mund ta lexojmë si laborator të politikave justinianiane në Dardani: një qytet ku emri i perandorit është shkruar në mozaik, por fundi i tij është po aq i prekshëm sa i çdo qyteti tjetër provincial”, ka thënë ai. Berisha krejt në fund ka shtuar edhe një fjali.
“Dy qytete, dy rrënoja, por një gramatikë e përbashkët e Antikitetit të Vonë – kjo është, në thelb, ajo që kemi dashur të ndajmë me ju sot”, ka thënë ai.
Studiuesi e profesori universitar Marin Haxhimihali nëpërmjet kumtesës “Strategjia perandorake dhe aktiviteti ndërtimor i Justinianit në provincën Epirus Nova në dritën e burimeve të shkruara dhe të dhënave arkeologjike nga terreni”, ka folur për ndikimin e perandorit në arkitekturë në përgjithësi, përderisa arkeologu Berat Ademi është ndalur te një lokalitet nëpërmjet temës “Kështjella e Sukës së Cermjanit – rezultatet e gërmimeve të vitit 1982 dhe hulumtimet e reja”. Studiuesi Agon Rrezja me kumtesën “Ekspeditat dhe organizimi ushtarak i perandorit Justiniani I në provincën e Ilirikut”, ka sqaruar aspektet e sigurisë e luftërat në Ilirikum përgjatë periudhës së Justinianit. Kurse arkeologu Arianit Buqinca ka elaboruar një pjesë të “Kodeksit të Justinianit”, siç është titulluar edhe kumtesa e tij. Është ndalur pak edhe te ndërtimet e rindërtimet e Justinianit. Ka përmendur se ai rindërtoi qytetin e lashtë Ulpiana, duke e quajtur Justiniana Secunda, dhe jo larg saj ngriti një qytet të ri që e quajti Justinopolis më pas rindërtoi Naisopolisin, Nishin e sotëm e disa qytete të tjera. Në këtë rast, Buçinca ka thënë se numrat duhet të lexohen me kujdes.
“Nëse i bashkojmë këto me listën e Prokopit, ku përmenden 68 fortifikata të tjera të rinovuara ose rindërtuara, atëherë numri total i ndërtimeve dhe rindërtimeve në Dardani arrin në 79”, ka thënë ai.
Studiuesja Zana Hoxha me kumtesën e saj “Tri bazilika paleokristiane nga Darndania” ka ngritur paralele midis Ulpianës, Scupit dhe Justiniana Primas. Krejt në fund të konferencës njëditore, arkeologu i parahistorisë, Shafi Gashi ka thënë se tashmë është koha që studiuesit të mblidhen dhe t’i vënë disa pika sa i përket interpretimit të të bëmave në një kohë sikurse ajo e Justinianit në Ilirikum.
Se kur do të ketë ndonjë gjë të tillë, mbetet të shihet, por tashmë është e qartë se nën periudhën e Justinianit, Iliriku e Dardania patën një hov të madh ndërtimi e rindërtimi.