Shtojca për Kulturë

Pararendësja e kukullës Barbie – një eskortë gjermane

barbie

Historia e Barbiet që pushtoi botën nisi nga Gjermania

Para 70 vjetësh një karikaturist gjerman krijoi figurën e Lilit. Kurse sipërmarrësja Ruth Handler e shndërroi Lilin, objektin e fantazive mashkullore, në kukullën Barbie, të njohur në të gjithë botën

Shkroi: Astrid Prange de Oliveira

Batutat e Lilit tingëllojnë si skenat e fillimit të një filmi erotik: Në një moment ajo tregon fustanin e saj mbuluar me gjurmë duarsh me vaj, sepse një shofer kamioni kishte “vënë dorë fort” për t’i rregulluar makinën. Një herë tjetër ajo ngacmon një polic në një plazh, në të cilin ndalohen rrobat e banjos të ndara, duke e pyetur: “Cilën pjesë duhet të heq?”

Kush do ta kishte menduar që karikatura e seksualizuar, me gjoksin e bollshëm dhe buzët e plota të kuqe do të ndryshonte një ditë jetën e miliona fëmijëve? Me siguri jo krijuesi i saj, Reinhard Beuthien, që e skicoi Lilin brenda 40 minutash për numrin e parë të gazetës “Bild” në vitin 1952, për të mbushur një boshllëk në gazetë. Vite më vonë Lili e gazetës “Bild” u bë Barbie, ndoshta kukulla më e famshme në botë deri më sot.

 Lili u bë shpejt aq e njohur te lexuesit e tabloidit "Bild" kryesisht meshkuj, saqë në vitin 1953 botuesit e Bild nxorën në treg një kukull plastike që i ngjate Lilit

Sot sensuale, asokohe e guximshme dhe e pavarur

Sipas botuesit të “Bild”, Axel Springer, Lili ishte një “sekretare e shkathët”, por burime të ndryshme e interpretojnë atë më shumë si një call-girl ose eskortë. Qoftë sekretare apo eskortë, një gjë është e sigurt: Lilli nuk ishte menduar si lodër për fëmijë. Me konturet e saj gjysmë të zhveshura, gërshetin bjond të lidhur lart dhe takat e larta, estetika e Lilit ishte më pranë asaj të një modeleje të seksualizuar.

Sot dikush do të thoshte, se ajo iu përshtat vështrimit mashkullor Male Gaze, e portretizuar si një objekt qejfi, reduktuar tek trupi i saj, krejtësisht në përputhje me nevojat e krijuesve dhe shikuesve të saj meshkuj. Megjithatë edhe sot “Bild” e përshkruan atë me fjalët “e guximshme, seksi, e pavarur!”

Lili u bë shpejt aq e njohur te lexuesit e tabloidit kryesisht meshkuj, saqë “Bild” në vitin 1953 nxori në treg një kukull plastike që i ngjante asaj. Sipas raportimeve të gazetave ajo ishte një dhuratë e preferuar mes burrash, për shembull në festat e fundit të beqarisë, dhe shitej në dyqanet e duhanit, në bare dhe kioska.

Mes viteve 1955 dhe 1964 gazeta “Bild” tregtoi rreth 130.000 Lili me veshje dhe aksesorë të ndryshëm, duke arritur kështu edhe një audiencë femërore. Lili u bë shpejt bestseller, madje edhe përtej kufijve të Gjermanisë.

Krijuesja e kukullave Barbie, Ruth Handler

Ruth Handler e ktheu Lilin në Barbie

Ndoshta ajo do të zbukuronte edhe sot faqet e gazetës “Bild” gjysmë  e zhveshur, siç kanë bërë shumë vajza të vërteta për dekada të tëra në gazetën “Bild”, nëse nuk do të ishte Ruth Handler. Bashkëthemeluesja e kompanisë së lodrave “Mattel” e zbuloi Lilin rastësisht në një vitrinë dyqani në vitin 1956, ndërsa po kalonte pushimet në Lucern të Zvicrës. Handler dhe vajza e saj Barbara u entuziasmuan.

Kështu Handler dërgoi disa kukulla Lili në Los Angeles dhe bleu në fund të drejtat e saj. Në vitin 1959 kukulla Barbie, që mbante emrin e vajzës së Handler Barbara, dhe ishte një kopje e vërtetë e Lilit, doli në treg dhe që atëherë është shitur më shumë se një miliard herë.

Barbie pushtoi botën e dhomave të fëmijëve, me gjithë kritikat e përsëritura nga feministet. Po me Lilin çfarë ndodhi? Sekretarja “e guximshme dhe e pavarur” u martua me të dashurin e saj Peterin në vitin 1961 dhe u zhduk tërësisht nga skena.

Marrë nga “Deutsche Welle”